Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe profesionalizimin e saj me diplomimin e kadetëve dhe oficerëve në akademitë më të njohura ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kadetët Arlind Shefiku dhe Enderon Vuthaj, si dhe major Gëzim Osmani e nënkolonel Gëzim Sada, kanë përfunduar me sukses shkollimin e tyre në këto institucione prestigjioze, duke treguar nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi, shkruan Katror.info.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka përgëzuar të katërt ushtarakët për arritjen e tyre, duke e cilësuar si një sukses të rëndësishëm për Forcën e Sigurisë dhe për vendin në përgjithësi.
“Suksesi i tyre është arritje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Republikën tonë dhe një dëshmi e qartë e profesionalizmit në rritje të ushtarakëve tanë, gjë që e bën edhe më të sigurt rrugën tonë drejt integrimit të plotë euroatlantik,” ka theksuar Osmani.
Ajo gjithashtu ka shprehur falënderime të thella për SHBA, aleatin kryesor të Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme në arsimimin dhe avancimin profesional të kuadrove ushtarake kosovare.
Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e kapaciteteve të FSK-së, duke e vendosur Kosovën në rrugën e sigurt drejt integrimit në familjen euroatlantike./Katror.info