Presidentja Vjosa Osmani pritet t’i thërrasë brenda 10 ditësh liderët e partive politike për të emëruar një mandatar të dytë për kryeministër ose për të marrë vendim që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Mandatari i ri pritet të jetë ai që ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë, pas dështimit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili doli i pari në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit për të krijuar ekzekutivin. Megjithatë, ish-opozita ende nuk ka shprehur gatishmëri për të marrë iniciativë për formimin e Qeverisë së re.
Albanian Post ka dërguar pyetje te Zyra e Presidencës, por nuk është dhënë ndonjë datë e caktuar për mbajtjen e këtij takimi.
“Partitë do të ftohen për konsultime brenda afatit kushtetues”, ka deklaruar këshilltari për media i presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina.
Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë, pasi nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për të formuar ekzekutivin.
Qeveria e re dështoi të zgjidhet pas tetë muajsh nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Pavarësisht vonesave të shkaktuara nga dërgimi i vendimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe moskonstituimi i Kuvendit, Kurti, nuk arriti të bindë partitë politike që të votojnë për ekzekutivin “Kurti 3”.
Kushtetuta përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidentja Vjosa Osmani, duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
Të dielën, propozimi i mandatarit Albin Kurti për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës.
Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 absentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se tani përgjegjësia kalon sërish te presidentja Vjosa Osmani dhe mbylli punimet e seancës së të dielës./AP/Katror.info













