“Çdo i treti kalimtar në qendër të Selanikut fliste shqip”, thotë me shaka Sedat Kiçmari. Me gruan dhe dy fëmijët, ai vizitoi qytetin bregdetar të Greqisë fundjavën e fundit të shkurtit. Ishte hera e parë që familja 4-anëtarëshe udhëtoi pa viza në një vend të Bashkimit Evropian.
Qytetarët e Kosovës e gëzojnë këtë të drejtë nga 1 janari i këtij viti dhe disa përfaqësues biznesesh ankohen se “euforia e madhe” për të udhëtuar, i ka lënë me më pak punë e më pak të ardhura.
Nëse trendi vazhdon, disa biznese edhe mund të mbyllen, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Mbi 100% më shumë udhëtime”
Ruzhdi Kurtishaj, pronar i agjencisë turistike “Sharr Travel”, thotë se udhëtimet e qytetarëve kosovarë nga 1 janari e këndej, janë shtuar për më shumë se 100%.
Agjencia e tij operon me dhjetëra autobusë që realizojnë udhëtime çdo ditë.
Destinacionet thotë se janë të ndryshme: Greqi, Kroaci, Hungari, Bullgari e Austri.
“Po e marr shembull Greqinë, pasi është vendi më i frekuentuar. Vitin e kaluar, në këtë shtet kemi udhëtuar një herë në javë me një autobus, ndërsa, aktualisht, udhëtojmë tri herë në javë me gjashtë autobusë”, tregon Kurtishaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se kapaciteti i një autobusi është për 50 deri në 80 udhëtarë, ndërsa bileta kthyese nga Prishtina deri në Selanik – rreth 330 kilometra larg – është 20 euro.
Nëse bëhet llogaritja vetëm me shifrat e kësaj agjencie, i bie që së paku 300 qytetarë udhëtojnë çdo javë drejt Greqisë dhe vetëm për bileta shpenzojnë së paku 6.000 euro.
Në Kosovë janë të regjistruara 757 biznese – përfshirë agjenci udhëtimi, operatorë turistikë e të tjera – që merren me turizëm.
Të dhënat që REL-i siguroi nga Policia e Kosovës, tregojnë se nga 1 janari deri më 21 shkurt të këtij viti, mbi 1.7 milion qytetarë kanë dalë nga kufiri tokësor i Kosovës, ndërsa kanë hyrë mbi 1.6 milion.
Shifrat përfshijnë edhe ata qytetarë që kanë lëvizur më shumë se një herë.
Megjithatë, policia nuk dha të dhëna për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur për qytetarët kosovarë nuk vlente liberalizimi i vizave.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërkaq, konfirmojnë se ka rritje të numrit të udhëtarëve në dhe nga Kosova.
Zëdhënësja Valentina Gara thotë se numri i përgjithshëm i tyre në muajin janar ka qenë mbi 287 mijë, krahasuar me mbi 266 mijë sa ka qenë në janar të vitit 2023. Shkrimin e plotë të Radios Evropa e Lirë mund ta lexoni këtu./Katror.info