Nëse përdorni ChatGPT në WhatsApp, është koha të bëni plane të tjera. OpenAI ka njoftuar se chatbot-i i tij i përhapur gjerësisht do të ndalojë së funksionuari në aplikacionin e njohur të mesazheve të kompanisë Meta më 15 janar 2026. Sipas kësaj kompanie, ndryshimi është pasojë e modifikimeve në politikën dhe kushtet e përdorimit të WhatsApp-it. “Edhe pse do të preferonim shumë të vazhdonim t’ju shërbenim në WhatsApp, ne jemi të fokusuar që tranzicioni të jetë sa më i lehtë për të gjithë përdoruesit tanë”, shkruan OpenAI.
WhatsApp nuk mbështet eksportimin e bisedave dhe nuk do të ketë mënyrë automatike për të transferuar bisedat tuaja pas këtij afati. Fatmirësisht, ekziston një zgjidhje e thjeshtë për të migruar historinë tuaj të bisedave menjëherë. “Në profilin e kontaktit 1-800-ChatGPT në WhatsApp, do të shihni opsionin për të lidhur llogarinë tuaj ChatGPT. Zgjidhni këtë dhe të gjitha kërkesat tuaja në WhatsApp do të lidhen me historinë tuaj të ChatGPT,” shkruhet në njoftim. Meta tani është një kompani e inteligjencës artificiale dhe 50 milion njerëz që përdorin chatbot-in e kompanisë tjetër brenda WhatsApp-it nuk do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e tyre, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet e këtij vendimi, përcjell TAR.
Dëshironi përgjigje më të mira nga Al? Jini të pasjellshëm. Një studim i ri i Penn State zbuloi se ChatGPT në fakt performon më mirë kur hiqni dorë nga “të lutem” dhe “faleminderit”. Në 250 pyetje testimi, pyetjet “më të pasjellshme” shënuan saktësi 84.8%, ndërsa ato “shumë të sjellshme” mbetën prapa në 80.8%. Hulumtuesit mendojnë se frazat e sjellshme si “A mund të më tregoni ju lutem…” shtojnë fjalë shtesë dhe konfuzion, ndërsa komandat e drejtpërdrejta si “Më tregoni përgjigjen” e bëjnë qëllimin tuaj të qartë si kristali.
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, tha se ChatGPT po bëhet gjithnjë e më shumë si një njeri me përditësime të reja që do të vijnë brenda disa javësh. “Ne e bëmë ChatGPT mjaft kufizues për t’u siguruar që po tregoheshim të kujdesshëm me problemet e shëndetit mendor. E kuptojmë se kjo e bëri atë më pak të dobishëm/të këndshëm për shumë përdorues që nuk kishin probleme të shëndetit mendor, por duke pasur parasysh seriozitetin e problemit, ne donim ta bënim këtë siç duhet”, shkroi ai në një postim në X. /Katror.info









