Universiteti Veror i Universitetit të Prishtinës ka përfunduar me sukses edicionin e sivjetmë, duke sjellë një gamë të gjerë kursesh dhe ligjëratash nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. Ndër kurset më të spikatura të këtij edicioni ishte ai i organizuar nga Fakulteti i Filologjisë: “Mastering Social Media: Creating Content That Captivates”, shkruan Katror.info.
Ky kurs u ligjërua nga profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj dhe profesori i ftuar nga Greqia, Nikos S. Panagioto, duke sjellë një kombinim të përvojës akademike dhe njohurive praktike në fushën e komunikimit digjital. Përgjatë ditëve të kursit, studentët patën rastin të thellojnë njohuritë e tyre mbi strategjitë e përdorimit të rrjeteve sociale, krijimin e përmbajtjes kreative si dhe teknikat për angazhimin efektiv të audiencës në mjedisin gjithnjë e më konkurrues të medias online.
Organizatorët falënderuan pjesëmarrësit për energjinë, kreativitetin dhe përkushtimin që sollën në këtë përvojë unike verore, e cila dëshmoi edhe një herë rëndësinë e ndërthurjes së teorisë me praktikën në arsimin e lartë./Katror.info