Mbrëmë, Pallati i Rinisë u mbush me art dhe emocione gjatë premierës së veprës së njohur “María de Buenos Aires”, kryevepra e tangos botërore e kompozitorit argjentinas Astor Piazzolla.
Nën dirigjimin e mjeshtrit Kushtrim Gashi, me interpretimin brilant të Flaka Gorancit në rolin kryesor, si dhe me Rizah Jahajn (tenor) dhe Alban Gorancin (aktor), Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës në bashkëpunim me Prishtina International Vocal Festival sollën një përvojë të paharrueshme për publikun.
Ngjarja, e mbushur me pasion, energji dhe emocione, dëshmon zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve tona kombëtare të artit dhe kulturës.
Në sallën e mbushur plot, ndër të pranishmit ishte edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili vlerësoi realizimin artistik të veprës dhe profesionalizmin e artistëve kosovarë, duke theksuar se ky aktivitet vendos artin operistik kosovar në një nivel të ri të shprehjes dhe përjetimit kulturor./Katror.info