Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se sonte, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të jepet shfaqja “Provinca”, me regji nga Ard Islami.
Kjo shfaqje vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbështetur artin skenik vendor dhe për të afruar më shumë publikun me jetën teatrore të vendit.
Në rolet kryesore të “Provinca” luajnë aktorët Butrint Z. Lumi, Fisnik Ademi, Agan Asllani, Fatmir Haliti, Blerina Veseli dhe Venera Bojaj. Shfaqja, ndonëse e ndërtuar mbi baza komike, trajton me guxim realitetin politik dhe social të përditshmërisë sonë. Me situata dhe personazhe shpeshherë absurde, por shumë të njohura për publikun, “Provinca” sjell një pasqyrim të mprehtë të jetës në shoqërinë tonë.
Biletat mund të sigurohen në biletoren e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pranë Amfiteatrit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, apo duke kontaktuar në numrin 044 430 693.
Publiku është i mirëpritur të bëhet pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore. /Katror.info
Përgatiti:
