Puna vullnetare është një forcë që ka potencialin me sjellë transformime pozitive në komunitete të ndryshme.
Një përpjekje të tillë për fuqizimin e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë (RAE) në Kosovë përmes arsimimit, po e bënë edhe qendra The Ideas Partnership bashkë me vullnetarët e saj – qendër kjo që përmes shërbimeve të saj po hapë dyert për një të ardhme më të ndritshme dhe më premtuese për fëmijët e komuniteteve pakicë në Fushë Kosovë.
Duke ofru një sërë shërbimesh dhe aktivitetesh edukative e rekreative pa pagesë për fëmijët e grup-moshave të ndryshme, stafi dhe vullnetarët e qendrës po praktikojnë metoda gjithëpërfshirëse për t’iu ndihmu fëmijëve me i forcu njohuritë e tyre teorike e praktike në fusha të ndryshme, përmes ushtrimeve, aktiviteteve dhe orëve shtesë.
“Numri i përgjithshëm i aktiviteteve që fillojnë prej ditës së hane deri të shtunën është rreth 300. D.m.th. kopshti i përfshin 60 fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeçare,” thotë Hysni Hasani, koordinator në The Ideas Partnership.
Në qendër janë dy ndërrime; ndërrimi i parë është prej orës 9 deri në 12 dhe ndërrimi i dytë është prej orës 13 deri në ora 16.
Hasani shpjegon se përveç kopshtit dhe qëndrimit ditor për fëmijët, organizata ofron shërbime dhe organizon aktivitete edukative, vetëdijësuese e rekreative edhe për gratë dhe nënat që i përkasin këtyre komuniteteve.
“Na jetojmë këtu në komunitet dhe i dijmë nevojat e komunitetit. Në kuadër të kopshtit e kemi shtu edhe nji aktivitet tjetër ku nanat e komunitetit vijnë dhe mësojnë shkrim-lexim një herë në javë – ditën e enjte. Ne i kemi afër 30 gra. Qëllimi jonë ka qenë që nanat me iu ndihmu fëmijëve, që mos me pasë braktisje të shkollës. Këtu kemi bërë ndërlidhje të dyanshme; edhe fëmija me i ndihmu nanës për shembull, por edhe nëna fëmijut.”
Hasani thekson ndikimin pozitiv që sjellë puna e stafit dhe vullnetarëve në përmirësimin e jetesës së fëmijëve të këtyre komuniteteve dhe shpjegon se falë këtyre aktiviteteve fëmijëve u lehtësohet angazhimi në shkollë, gjë që ndikon në motivimin e tyre dhe redukton gjasat që ata të braktisin shkollën.
Falë empatisë dhe dëshirës për të krijuar një ndryshim pozitiv në shoqëri, Liridon Sopaj, mjek dhe mësimdhënës ka vendosur që pasionin, njohuritë dhe ekspertizën e tij në shkencë, arsim dhe shëndetësi ta ndajë përmes angazhimit të tij vullnetar me fëmijët e Klubit të shkencës; klub ky në të cilin mbi 20 fëmijë kanë mundësi me i forcu njohuritë e tyre në fizikë, biologji dhe kimi përmes ushtrimeve praktike dhe aktiviteteve eksploruese dhe eksperimentuese të përjavshme.
“Puna ime këtu si mësimdhënë/ tutor i kursit të shkencës, që ka të bëjë e gjitha me punë eksperimentale, lidhet direkt me fushën eksperimentale që bëjë në mjekësi, kështu që më vjen si spontanisht me e nda këtë njohuri me ta,” thotë Sopaj.
Ai shprehet se përmes punës vullnetare ai gjen rritje dhe përmbushje personale, sidomos kur sheh interesimin e nxënësve përgjatë aktiviteteve.
“Kur interesimi është në nivel, është normale që kjo të jep një kënaqësi, sepse, muj shumë lehtë me e lidhë me veten time. Nuk vij nga një familje e pasur. Kështu që kur i shoh këta që nuk i kanë kushtet, por e kanë interesimin dhe vullnetin, atëherë kjo më nxit edhe ma shumë me kontribu për mirëqenien e tyre”.
Ai madje ndan me ne këndvështrimin e tij mbi vullnetarizmin.
“Puna vullnetare për mu nënkupton të vendosësh interesat e tjerëve të cilët kanë nevojë për ndihmë para interesave të tua,” shprehet ai.
Po me aq zell dhe pasion po kontribuon edhe Pirro, djaloshi i cili së voni vullnetarisht po u mëson fëmijëve të qendrës shkrim-lexim në shqip e anglisht, dhe bashkë me ta mban edhe orë shtesë me ushtrime e detyra në lëndën e matematikës, duke theksuar se ka qejf të ndihmojë kudo që ka mundësi.
“Ka një ndjesi shumë të mire me punu me këtë komunitet. Unë vet ndihem shumë mirë kur bëjë punë vullnetare.”
Ndjenjës së vet-përmbushjes dhe ushqimit shpirtëror si shumë të tjerë në këtë qendër nuk i shpëton as Pirro, i cili ani pse i ri në moshë, e konsideron si një virtyt vullnetarizmin.
“Vullnetarizmi për mua është një virtyt shumë i mirë që dikush mundet me e pasë. Me mujtë me thanë vetë: Po, unë kam qejf me shku me ndihmu aty ku muj, asht një gjë shumë e ambël diqysh. Asht nji ndjesi shumë e mire shpirtërore,” shprehet Pirro.
Me rreth 300 aktivitete brenda javës dhe një numër të lartë të fëmijëve të grup-moshave të ndryshme që vizitojnë qendrën dhe kopshtin, është e qartë se angazhimi i vullnetarëve në The Ideas Partnership ndikon drejtpërsëdrejti në integrimin, ndërgjegjësimin dhe edukimin e fëmijëve të komuniteteve pakicë dhe krijon mundësi e kushte më të favorshme për një të ardhme më premtuese dhe të suksesshme./Katror.info
Edicionin #17 të plotë e gjeni KËTU 🙂
Kliko këtu dhe bonja Follow/pëlqeje Katror.info për me pa veç Lajme të Mira