Përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë pritur në takim nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ku u diskutua mbi nominimin e organizatës për Çmimin Nobel për Paqe.
Nominimi u bë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, si vlerësim për punën dhe kontributin e organizatës në adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbështetjes institucionale për këtë nominim, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit mes institucioneve të drejtësisë dhe QKRMT-së për fuqizimin e të mbijetuarve dhe dokumentimin e dëshmive.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë për mbështetjen e parezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë nominim”, thuhet në njoftimin qeveritar.
Po ashtu, u vlerësua puna e organizatës në grumbullimin e bazës së të dhënave dhe përpjekjet për drejtësi për të mbijetuarit e torturës dhe dhunës gjatë luftës.
Ky nominim shihet si një njohje ndërkombëtare e punës së palodhshme të aktivistes Feride Rushiti dhe ekipit të saj, të cilët për vite me radhë kanë ndihmuar të mbijetuarit në procesin e rehabilitimit dhe kërkimit të drejtësisë. /Katrro.info
Përgatiti:
