Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) kanë garantuar vazhdimësinë e funksionimit të Kino ABC-së në Prishtinë, duke marrë me qira hapësirat e saj, në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), thuhet në një njoftim të QKK-së.
Sipas njoftimit ky hap është pjesë e angazhimeve për mbrojtjen dhe zhvillimin e kinemave publike, siç përcaktohet në Ligjin e ri mbi Kinematografinë.
“Marrëveshja siguron shfrytëzimin e aseteve në interes publik, ndërsa AKP-ja ka aprovuar qiranë sipas rregulloreve përkatëse. Puna në Kino ABC do të vazhdojë, duke u orientuar drejt zhvillimit të kulturës së përgjithshme të filmit,” thuhet në njoftim.
Kinemaja ABC në Prishtinë funksionon që nga 24 maj të vitit 2000. Qe nga ajo kohë e deri me sot kjo kinema ka sherbyer si urë lidhëse e Kosovës me botën e filmit, duke ndikuar kështu jo vetëm ne zhvillimin e Artit të shtatë kinematografik, por edhe në zhvillimin e kulturës në përgjithësi në Kosovë.
Në kinemanë ABC shfaqen filma premierë në bashkëpunim me kompanitë më të njohura holivudiane, organizohen punëtori profesionale, javë dhe festivale te filmit në bashkëpunim me të gjitha institucionet vendore dhe nderkombëtare, si dhe organizohen shumë aktivitete të shumta kinematografike, gjithnjë duke ofruar për shikuesit dhe krijuesit e artit kinematografik vlerat me të larta kinematografike evropiane dhe botërore, përmes se cilave publiku ynë është me afër njohjes se kulturave te këtyre vendeve./Katror.info