Raketa e Virgin Galactic u ngrit nga New Mexico, duke dërguar në hapësirë një ish-olimpist 80 vjeçar britanik, një studente nga Aberdeen dhe nënën e saj.
Fluturimi i Virgin Galactic 02 ishte planifikuar për në orën 08:30 me orën lokale (16:30 CET).
Raketa Unity u transportua në pjesën e parë të udhëtimit të saj nga fluturakja e quajtur Eva.
Unity është planifikuar të ndahet kur të ndezë motorin e tij dhe të udhëtojë në një lartësi prej 85 kilometrash.
Ky është fluturimi i parë turistik, por i dytë komercial i Virgin Galactic.
I pari ishte në qershor kur Forcat Ajrore Italiane dhe shkencëtarët kryen eksperimente në kushte pa peshë në një mision 70-minutësh.
Misioni shihet si një tjetër provë se sa i qëndrueshëm është turizmi hapësinor.
Nëse gjithçka shkon mirë, kompania e miliarderit Richard Branson do të fillojë të ofrojë udhëtime mujore në hapësirë, duke u bashkuar me Blue Origin të Jeff Bezos dhe SpaceX të Elon Musk në biznesin e turizmit hapësinor.
Anastasia Myers dhe nëna e saj, Keisha Shahaf, fituan kartat e hipjes në një fluturim të Virgin Galactic në kuadër të një loje shpërblyese.
John Goodwin, nga Newcastle, do të bëhet personi i dytë me sëmundjen e Parkinsonit që do të shkojë në hapësirë.
Goodwin, i cili konkurroi si kanoeist në Lojërat Olimpike të vitit 1972, pagoi 250,000 dollarë për biletën e tij në vitin 2005, por kishte frikë se diagnoza e tij do të nënkuptonte se ai nuk do të ishte në gjendje të merrte pjesë.
Ai tha se donte të provonte se gjendja e tij – sëmundja e Parkinsonit, një gjendje në të cilën pjesë të trurit dëmtohen në mënyrë progresive – nuk e përcaktonte jetën e tij.
Keisha Shahaf, nga Antigua, po fluturonte për në Mbretërinë e Bashkuar për të rregulluar vizën e vajzës së saj kur ajo vendosi të merr pjesë në lojën shpërblyese për fluturimin në hapësirë.
Ajo zbuloi muaj më vonë se kishte fituar dy vende për këtë fluturim.
“Papritur, kush po hyn në oborrin tim? Richard Branson. I gjithë ekipi sapo hyri në shtëpinë time duke thënë ‘ti je një fitues, do të shkosh në hapësirë’,” tha ajo.
Vajza e saj Anastasia do të bëhet personi i dytë më i ri që do të shkojë në hapësirë dhe thotë se shpreson të frymëzojë të tjerët. /Katror.info