Republika Çeke ka miratuar zyrtarisht kërkesën e Republikës së Kosovës për akreditimin e atasheut të mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), bën të ditur Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, shkruan Katror.info.
Kolonel Bekim Zejnullahu do të ushtrojë detyrën si atashe jorezident në Pragë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e rrjetit diplomatik ushtarak të vendit.
“Akreditimi i atasheut të mbrojtjes në Republikën Çeke përbën një objektiv të përmbushur për këtë vit dhe dëshmon për angazhimin tonë në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Vendosja e atasheve të mbrojtjes në shtete partnere është pjesë e strategjisë së Kosovës për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në fushën e sigurisë dhe për të rritur prezencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare./Katror.info