Pas shumë vitesh, dy legjendat e “The Beatles”, Sir Paul McCartney dhe Sir Ringo Starr, janë ribashkuar në skenë. Bateristi i njohur u mirëprit me duartrokitje të ngrohta nga publiku gjatë një koncerti të Paul në O2 Arena të Londrës.
Dyshja interpretoi këngët e njohura “Helter Skelter” dhe “Sgt Pepper’s Lonely Hearts Club Band”, si pjesë e mbrëmjes finale të turneut “Got Back” të Sir Paul.
Sipas raporteve të mediave të huaja, Sir Ringo nuk ishte i vetmi muzikant i ftuar në këtë ngjarje të veçantë.
Kitaristi i “Rolling Stones”, Ronnie Wood, bashkëpunoi me McCartney për të interpretuar këngën “Get Back”. Gjatë këtij momenti, Sir Paul përdori bas kitarën e tij origjinale Hofner 500/1, instrument që nuk kishte luajtur prej më shumë se 50 vjetësh.
Kjo shfaqje e përbashkët ishte vetëm një nga shumë momentet kur McCartney dhe Starr kanë performuar së bashku pas shpërbërjes së “The Beatles” në vitin 1969.
Dyshja ka bashkëpunuar edhe më parë, duke përfshirë induksionin e Sir Ringo në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 2015 dhe turneun “Freshen Up” të Paul McCartney në vitin 2019. Të dy janë aktualisht anëtarët e fundit të mbijetuar të grupit legjendar. /Katror.info
Përgatiti:
