Mbase e pini kafen për efektet e saj shëndetësore, të cilat janë të vërtetuara. Një meta-analizë e 127 studimeve tregoi se konsumimi i kafesë ul rrezikun e kancerit deri në 20%, të diabetit të tipit 2 me 30% dhe të sëmundjes së Parkinsonit po ashtu me 30%. Një tjetër studim i publikuar në Circulation e lidh kafen me uljen e rrezikut për goditje në tru me 20%, ndërsa një studim me mbi 260,000 persona i NIH zbuloi se ata, që pinin katër ose më shumë filxhanë kafe në ditë kishin 10% më pak gjasa të përjetonin depresion, përcjell shqip.al.
Por për shumë njerëz, arsyeja kryesore për të pirë kafe është më e thjeshtë: të zgjohen. Kafeina bllokon adenosinën, një substancë që nxit përgjumjen, duke na ndihmuar të qëndrojmë vigjilentë. Por me përdorim të vazhdueshëm, ky efekt dobësohet. Trupi reagon duke prodhuar më shumë receptorë për adenosinën, gjë që kërkon më shumë kafeinë për të arritur të njëjtin nivel energjie.
Një studim i publikuar në International Archives of Pharmacology and Therapy tregoi se brenda vetëm tre ditësh konsum të rregullt të kafeinës, numri i receptorëve rritet ndjeshëm. Kjo shpjegon pse më pas të duhet më shumë kafe: dy filxhanë në mëngjes, një tjetër pasdite, e ndoshta edhe një më vonë. Me kalimin e kohës, efekti fillestar zëvendësohet me një nevojë të përhershme për stimulim.
Një tjetër studim i publikuar në PLoS One zbuloi se pjesëmarrësit që konsumuan kafe për 20 ditë me radhë përjetuan rritje të ndjeshme të energjisë vetëm në ditët e para. Pas ditës së 15-të, përfitimet filluan të bien, dhe deri në fund, efektet ishin kthyer në nivelin para fillimit të konsumit.
Zgjidhja? Një “reset” i receptorëve të adenosinës. Po, është e mundur. Të njëjtat studime tregojnë se një pauzë 7-ditore nga kafeina mjafton që trupi të rikthejë ndjeshmërinë e mëparshme. Nuk është e nevojshme të hiqni dorë plotësisht, mund të reduktoni dozën në mënyrë graduale për një javë në muaj.
Ky është thelbi i rregullit 3:1 – tre javë konsum të zakonshëm, një javë pushim ose ulje doze. Në këtë mënyrë, kur të rifilloni pirjen e rregullt, efekti energjik i kafesë do të jetë i ndjeshëm dhe real.
Sa më pak të jeni të varur, aq më shumë do t’ju ndihmojë kafeja kur të keni nevojë. Dhe ndërkohë, përfitimet shëndetësore mbeten. /Katror.info