Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë marrë pjesë në një aktivitet sindikal të organizuar nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), i cili përfaqëson 11 milionë anëtarë nga e gjithë Evropa.
Tema kryesore e takimit, që po zhvillohet në Irlandë, është “Sindikatat e arsimit mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”, përcjell Katror.info.
Në mesin e 64 përfaqësuesve nga sindikatat evropiane, Kosova u përfaqësua nga nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, dhe sekretari i përgjithshëm, Ymer Ymeri.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut përmes një postimi në Facebook, në ata prezantuan përvojat mësimdhënësve kosovarë gjatë luftës, kur pas dëbimit të dhunshëm nga forcat serbe, organizuan mësimin për fëmijët e Kosovës në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Siç thuhet në njoftim, ky aktivitet ndihmoi në zbutjen e traumave të luftës dhe në vazhdimin e vitit shkollor, pavarësisht sfidave të rënda që shkaktoi pushtimi.
”Pjesëmarrja e SBASHK-ut në aktivitete të tilla dëshmon përkushtimin e Kosovës në prezantimin e denjë në arenën ndërkombëtare dhe respektin që Sindikata gëzon nga organizatat si Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës dhe Internacionalja Botërore e Arsimit, e cila përfaqëson 32 milionë anëtarë në mbarë botën” thuhet në njoftim. /Katror.info
Përgatiti:
