E përditësuar 11:29
Dështoi edhe vazhdimi i 27-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Nga 99 deputetë të pranishëm 5ovotuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 7 maj, në orën 11.00.
***
Sot seanca e 27-të e konstituimit të Kuvendit?
Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të mërkurën, për herë të 26-të me radhë të konstituojnë përbërjen e re parlamentare që doli nga zgjedhjet e mbajtura në shkurt.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, bllokada politike po vazhdon.
Subjektet politike nuk po arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, proces i domosdoshëm për hapjen e rrugës drejt krijimit të Qeverisë së re.
Seanca e 27-të konstituive do duhej të mbahej të premten, por është thirrur për sot (e enjte), me fillim nga ora 11:00, pasi të premten është festë zyrtare, Kurban Bajrami.
Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), shkruan Telegrafi.
Kjo e fundit ka nominuar Albulena Haxhiun për këtë post dhe, ndonëse ka shprehur gatishmëri për marrëveshje politike me subjektet tjera, ka bërë të qartë se nuk do të propozojë emër tjetër.
Përveç kryetarit, për konstituimin e plotë të legjislaturës së nëntë duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi mund të procedohet me hapat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.
Kriza politike e pas-zgjedhjeve ka ardhur si pasojë e mungesës së shumicës parlamentare nga ndonjë subjekt i vetëm dhe dështimit të deritanishëm për arritjen e një koalicioni funksional.
LVV-ja ka dalë fituese me 48 ulëse, 13 më pak se minimumi prej 61 që kërkohet për të formuar një qeveri. Pas saj renditen PDK me 24 ulëse, LDK me 20, AAK-Nisma me 8 dhe Lista Serbe me 9.
Kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar gjatë majit se është i gatshëm për kompromise dhe koncesione në funksion të formimit të ekzekutivit të ri.
Ai ka përmendur minoritetet dhe Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt – e cila ka tri ulëse – si partnerë të mundshëm për bashkëqeverisje.
Në mungesë të marrëveshjes politike dhe zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, bllokada institucionale në Kosovë po vazhdon, me një klimë pasigurie për qytetarët dhe presion të shtuar ndërkombëtar për zgjidhje të ngërçit. /Katror.info
Përgatiti:
