Eksodi i dizajnerëve të Apple po vazhdon dhe personi i fundit që u largua nga kompania është Tang Tan, i cili mbante postin e shefit të dizajnit të produkteve.
Tan po largohet nga Apple për t’iu bashkuar LoveFrom, një kompani e themeluar nga Jony Ive, një ish-projektues në Apple.
Në firmën e re, Tang Tan do të punojë në pajisje të reja për inteligjencën artificiale, e cila mbështetet nga kompania OpenAI e Sam Altman dhe synon të krijojë pajisje që zbatojnë teknologjitë më të fundit të “mësimit të thellë”.
Tan ishte përgjegjës për dizajnimin e produkteve kryesore të Apple, duke përfshirë iPhone, Apple Watch dhe AirPods, kështu që largimi i tij lë një boshllëk të madh në kompani.
Si pjesë e LoveFrom, Tan do të drejtojë dizajnin e harduerit për projektin e ri të AI, ndërsa Sam Altman do të ofrojë mbështetje softuerike. Të gjitha produktet janë aktualisht në fazat e hershme të konceptit dhe fokusi është tek pajisjet shtëpiake.
Dihej tashmë që Tan po largohej nga Apple dhe është interesante se që nga viti 2019, rreth 14 anëtarë të ish-skuadrës së Jony Ive janë larguar nga kompania. Ive punoi për Apple si konsulent deri në vitin 2022 dhe më shumë se 20 ish-punonjës të Apple iu bashkuan kompanisë së tij LoveFrom./Katror.info