Faith O’Reilly, 82 vjeç nga Kolorado, është bërë gruaja më e vjetër që garon në ngritjen e peshave në Lojërat Kombëtare për Persona të Moshuar në SHBA – ku ky sport për herë të parë është bërë pjesë e garës.
O’Reilly fillimisht u përball me peshat kur ishte studente në Fakultetin Juridik të Universitetit të Iowa-s.
“Po e shikoja dhe mendova: ‘Edhe unë mund ta bëj këtë,’” tregon ajo – një frymë pozitive që e ka përcjellë gjatë gjithë jetës, shkruan GoodNewsNetwork, përcjell Katror.info.
Me kalimin e viteve, ajo fitoi disa kampionate shtetërore në Iowa, ndërsa përfundoi studimet dhe filloi të ligjëronte në lëndë juridike dhe drejtësi penale në nivel universitar.

Pas pensionimit, u zhvendos në qytetin e vogël Saguache në Kolorado dhe rifilloi ngritjen e peshave në vitin 2007.
“Është shumë e mirë për trupin në përgjithësi – kur plakesh, mund të përballesh me probleme si humbja e densitetit të kockave apo forcës muskulore,” tha O’Reilly për një artikull të Shoqatës së Lojërave.
Në vitin 2023, ajo fitoi medalje të artë në stafetën e triatlonit për gratë mbi 75 vjeç në Pittsburgh, bashkë me motrën e saj dhe një mikeshë të ngushtë.
“Është shumë argëtuese të shohësh e të bashkëpunosh me të tjerë që janë më në formë se shumica e moshatarëve tanë,” thotë ajo. “E dini, personi më i vjetër që konkurroi në Pittsburgh ishte 103 vjeç – ndaj tani kam një qëllim të ri!”/Katror.info