Gjatë 260 milionë viteve të fundit, planeti Tokë ka pësuar ndryshime të shumta – dinosaurët erdhën dhe shkuan, Pangea u shpërbë në kontinentet dhe ishujt e sotëm, ndërsa njerëzit shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme ndryshuan botën në të cilën jetojmë.
Pavarësisht këtyre ndryshimeve dramatike, Toka duket se ka ritmin e vet të kohës. Hulumtimet në ngjarjet e lashta gjeologjike sugjerojnë se planeti ynë ka një ‘puls’ të ngadaltë dhe të qëndrueshëm të aktivitetit gjeologjik çdo 27 milionë vjet ose më shumë, raporton Science Alert.
Ky puls i ngjarjeve të akumuluara gjeologjike, duke përfshirë shpërthimet vullkanike, zhdukjet masive, riorganizimet e pllakave tektonike dhe ndryshimet e nivelit të detit, shpaloset tepër ngadalë, në cikle ulje-ngritje katastrofike çdo 27.5 milionë vjet. Për fatin tonë, studiuesit besojnë se kemi edhe 20 milionë vjet para ‘pulsit’ të ardhshëm.
“Shumë gjeologë mendojnë se ngjarje si kjo janë një rastësi,” tha Michael Rampino, një gjeolog i Universitetit të Nju Jorkut dhe autori kryesor i studimit, në një deklaratë të vitit 2021. “Por kërkimi ynë ofron prova statistikore për një cikël të përbashkët, duke sugjeruar se këto ngjarje gjeologjike janë të lidhura dhe nuk janë të rastësishme.”
Ekipi analizoi moshat e 89 ngjarjeve gjeologjike të studiura mirë që kanë ndodhur gjatë 260 milionë viteve të fundit. Kohë të trazuara kanë ndodhur gjatë historisë, me më shumë se tetë ngjarje të tilla botërore të grumbulluara së bashku gjatë periudhave gjeologjikisht të shkurtra, duke formuar një ‘puls’ katastrofik.
“Këto ngjarje përfshijnë periudha të zhdukjeve detare dhe tokësore, ngjarje të mëdha anoksike oqeanike, shpërthime të llavës kontinentale, luhatje të nivelit të detit, pulsime globale të magmatizmit brenda shtratit dhe periudha të ndryshimeve në shkallën e përhapjes së detit dhe riorganizimet tektonike të pllakave,” shkroi ekipi në studim.
“Rezultatet tona sugjerojnë se ngjarjet gjeologjike globale janë përgjithësisht të lidhura dhe duket se vijnë në pulsime me një cikël themelor prej 27.5 milionë vjetësh.”
Gjeologët kanë hetuar ciklin e mundshëm të ngjarjeve gjeologjike për shumë vite. Që në vitet 1920 dhe 30, shkencëtarët propozuan një cikël 30 milionë vjeçar në të dhënat gjeologjike, ndërsa në vitet 1980 dhe 1990 studiuesit përdorën ngjarjet gjeologjike të asaj kohe për të nxjerrë një hapësirë gjatësie midis ‘pulseve’ prej 26.2 deri në 30.6. milion vjet.
“Ky studim është mjaft i mirë, por unë në fakt mendoj se studimi më i mirë i këtij fenomeni ishte [puna e vitit 2018] nga Muller dhe Dutkiewicz,” tha për ScienceAlert gjeologu tektonik Alan Collins nga Universiteti i Adelaide, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Studimi i vitit 2018, i kryer nga dy studiues nga Universiteti i Sidneit, shikoi ciklin e karbonit të Tokës dhe tektonikën e pllakave, dhe gjithashtu arriti në përfundimin se cikli është afërsisht 26 milionë vjet.
Collins shpjegon se në këtë studim të fundit, shumë nga ngjarjet që vëzhgoi ekipi janë të shkaktuara – që do të thotë se njëra ngjarje shkakton drejtpërdrejt tjetrën, kështu që disa nga 89 ngjarjet janë të lidhura: për shembull, ngjarjet anoksike shkaktojnë zhdukje detare.
“Megjithatë,” shton ai, “ky cikël 26-30 milionë vjeçar duket të jetë real për një periudhë më të gjatë kohore – gjithashtu nuk është e qartë se cili është shkaku themelor!”
Hulumtime të tjera nga Rampin dhe ekipi i tij sugjeruan se shkaku mund të ishte ndikimi i kometave dhe një studiues i hapësirës sugjeroi madje se fajtori është Planeti Nëntë.
Por nëse Toka ka vërtet një “puls gjeologjik”, shkaku mund të jetë diçka pak më afër shtëpisë.
“Këto pulsime ciklike të tektonikës dhe ndryshimeve klimatike mund të jenë rezultat i proceseve gjeofizike të lidhura me dinamikën e pllakave tektonike dhe kanaleve magmatike, ose si alternativë, ato mund të përcaktohen nga ciklet astronomike të lidhura me lëvizjet e Tokës në Sistemin Diellor dhe gjithësi”, shkroi ekipi në hulumtimin e tij./Katror.info