Shqiptarja Aida Birinxhiku, deputetja, tashmë po dallohet si një prej zërave më të rëndësishëm të brezit të ri brenda Partisë Socialdemokrate në Suedi.
Në Kongresin e 42-të të kësaj partie, Aida drejtoi punimet me dinjitet dhe përkushtim, duke menaxhuar mbi 4000 mocione dhe 10,000 propozime.
Aida, me rrënjë nga Kosova, është bërë deputetja më e re në Parlamentin suedez, duke përfaqësuar qarkun Halland për Partinë Socialdemokrate.
E lindur në Suedi në vitin 1999 nga prindër që emigruan në vitin 1998, Aida ka ndjekur studimet në Universitetin e Lundit dhe ka një diplomë në drejtësi, përcjell albinfo.ch.
Përfshirja e saj në politikë filloi në vitin 2014 përmes organizatës rinore socialdemokrate në Halland, ku më vonë u bë edhe kryetare. Në vitin 2018, ajo u zgjodh në këshillin bashkiak të Falkenbergut.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Aida u zgjodh deputete, duke u bërë shqiptarja e parë në Parlamentin suedez dhe më e reja në moshë në atë legjislaturë. Ajo është anëtare e Komisionit për Industrinë dhe Tregtinë dhe e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian./Telegrafi/Katror.info