Siria bëhet shteti i radhës që e njeh Kosovën. Lajmi u bë i ditur nga Presidenca e Kosovës.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” thuhet në deklaratën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani theksoi se populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.
Presidentja e Kosovës ka falënderuar Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve.
Tani Kosova njihet nga 120 shtete. “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë”, tha Osmani në njoftim. /Katror.info










