Sonte zhvillohet ndeshja vendimtare mes Dritës dhe Copenhagenit, në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Dueli i shumëpritur mes këtyre dy skuadrave do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.
Kampioni i Kosovës do të kërkojë të bëjë mrekulli përballë kampionëve të Danimarkës, pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Parken Stadium” të Kopenhagës.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka theksuar se ekipi do të hyjë në fushë me besim dhe vendosmëri, duke shpresuar në përkrahjen maksimale të tifozëve.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, ashtu siç ishte edhe ajo e para në Kopenhagë. Tashmë e njohim kundërshtarin, në fakt, e kishim të njohur edhe para ndeshjes së parë. Kemi bërë analizën e skuadrës sonë dhe kemi parë që kemi të bëjmë me një ekip me përvojë. Një ekip që gjithmonë e ka objektiv fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Ramadani.
Objektivi i skuadrës gjilanase ndaj skuadrës daneze është përmbysja e rezultatit të parë dhe kualifikim në raundin tjetër, diçka që do të ishte arritje e madhe për futbollin kosovar.
Copenhageni është skuadër me përvojë evropiane, e cila vit pas viti konkurron në garat evropiane.
Atmosfera në ‘Fadil Vokrri’ pritet të jetë elektrizuese, ndërsa të gjithë sytë janë te përballja që mund të shkruajë historinë për Dritën dhe për vetë futbollin e Kosovës./RTK/Katror.info