Kombet e Bashkuara janë organizata ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945.
Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë e paqes në botë. Ajo është vazhdim i Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.
Iniciatorët e krijimit të saj ishin fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe, të cilët, në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar më 14 gusht 1941, ku u përfshinë principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, ranë dakord se pas luftës do të krijohej “një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.
Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit antifashist dhe antinazist, u ritheksua nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.
Parimet, struktura dhe funksionet e organizatës u formuluan në Konferencën e Dumbarton Oaks, afër Uashingtonit, që u zhvillua nga 21 gusht deri më 29 shtator 1944, ku morën pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca përpunoi dokumentin e quajtur “…propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”.
Në shkurt 1945 u mbajt Konferenca e Jaltës, në Krime, me pjesëmarrjen e Franklin Roosevelt, Stalinit dhe Churchillit. Ajo hodhi bazat politike të të gjitha bisedimeve për paqe pas përfundimit të luftës. Në këtë konferencë u ri-diskutua dhe u ra dakord përfundimisht për krijimin e OKB-së si një organizatë ku mund të bënin pjesë kombe të mëdha e të vogla.
SHBA thirrën Konferencën e San Franciskos, ku morën pjesë të gjithë shtetet që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars 1944. Konferenca i zhvilloi punimet nga 25 prilli deri më 26 qershor 1945. Ajo pranoi dështimin e Lidhjes së Kombeve për pengimin e Luftës së Dytë Botërore.
Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara” u shqyrtuan në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, që u zhvillua në Moskë nga 19 deri më 30 tetor 1943. Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme, që u nënshkrua më pas edhe nga Kina, u formulua për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.
Më 26 qershor 1945 u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi më 24 tetor 1945. Kjo datë u shpall si Dita Ndërkombëtare e OKB-së../Rtv21/Katror.info













