Konferenca “Software Freedom Kosova 2025”, ngjarja më e madhe vjetore për softuerin e lirë dhe me burim të hapur në Evropën Juglindore, do të hapet sot në Prishtinë, nën organizimin e Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK). Në ceremoninë hapëse, që fillon në orën 10:00, pritet të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kjo konferencë, që zhvillohet për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, mbledh zhvillues, studentë, hulumtues, sipërmarrës dhe aktivistë për të ndarë përvoja dhe për të promovuar softuerin dhe harduerin e lirë. Përgjatë viteve, SFK ka pritur emra të njohur ndërkombëtarë si Glynn Moody, Bruce Perens, Leon Shiman, Peter Salus, Rob Savoye dhe Mikel Maron.
Edicioni i sivjetëm shënon jubileun e dhjetë të konferencës dhe njëkohësisht 17 vjet ndikim të komunitetit të burimit të hapur në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë dy ditëve të aktivitetit do të mbahen ligjërata, punëtori dhe sesione rrjetëzimi për profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë, me qëllim ndarjen e njohurive dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushën e inovacionit të hapur./EO/Katror.info










