Çdo vit, më 28 korrik, shënohet Dita Botërore e Hepatitit, në nder të Baruch Blumberg, studiuesit që zbuloi virusin e hepatitit B dhe zhvilloi vaksinën e parë kundër tij.
Kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për hepatitin viral dhe nxitjen e veprimeve globale për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Çfarë është hepatiti?
Hepatiti është një inflamacion i mëlçisë që zakonisht shkaktohet nga një infeksion viral. Ekzistojnë pesë lloje kryesore të hepatitit: A, B, C, D dhe E. Ndër to, hepatiti B dhe C janë më të rrezikshmit, pasi mund të çojnë në sëmundje kronike të mëlçisë, përfshirë cirrozën dhe kancerin e mëlçisë.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 350 milionë njerëz në botë jetojnë me hepatit kronik B ose C. Megjithëse ekzistojnë mënyra efektive për të parandaluar dhe trajtuar këto infeksione, shumica e të prekurve nuk janë të diagnostikuar dhe as të trajtuar.
Çdo vit, 1.3 milionë njerëz humbin jetën si pasojë e hepatitit B dhe C, shifër e ngjashme me vdekjet nga tuberkulozi dhe më e lartë se ato nga HIV/AIDS.
Statistikat tregojnë se:
- 90% e personave me hepatit B dhe
- 80% me hepatit C nuk janë të vetëdijshëm për infeksionin që mbajnë. Për më tepër, vetëm 13% e atyre me hepatit C kronik janë trajtuar.
Si të mbroheni nga hepatiti?
- Përdorni vetëm injeksione sterile
- Përdorni mjetet tuaja personale të rrojës
- Praktikoni seks të sigurt
- Sigurohuni që tatuazhet dhe shpimet të bëhen me pajisje të sterilizuara
- Vaksinoni foshnjat kundër hepatitit B /Katror.info