Universiteti i Prishtinës ka shënuar hapin e radhës drejt digjitalizimit të shërbimeve për studentët dhe stafin e tij. Në kuadër të Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve – SEMS, është integruar “moduli i konsultimeve”, ka njoftuar Universiteti i Prishtinës përmes një postimi në Facebook.
‘’Ky modul inovativ siguron që studentët të marrin shërbime më të qasshme dhe praktike në lidhje me procesin e konsultimeve.
Përmes kësaj mundësie, studentët mund të lidhen lehtësisht me profesorët e tyre, të planifikojnë konsultimet dhe të diskutojnë shqetësimet akademike në mënyrë më efikase. Kjo qasje bashkëkohore, jo vetëm që thjeshton procesin e konsultimeve, por gjithashtu pasuron përvojën e të mësuarit njësoj për studentët dhe fakultetet,’’ thuhet në njoftim.
UP-ja ka siguruar se do të mbetet e përkushtuar që të ngrisë kualitetin , ‘’duke ofruar shërbime cilësore për studentët e vet dhe duke përmirësuar vazhdimisht qasjen e tyre në procesin mësimor dhe shërbimet e tjera të ofruara.’’/Katror.info