Të pasurit një kafshë shtëpiake mund të përmirësojë mirëqenien po aq sa një martesë apo marrëdhënie të ngushta me miq dhe familjarë, sipas një studimi të ri të botuar në Social Indicators Research.
Studiuesit llogaritën se efekti i kafshëve në kënaqësinë e jetës është i barabartë me përfitimin teorik të një page prej 90,000 dollarësh në vit, shkruan CNN, transmeton Katror.info.
Studiuesja Adelina Gschwandtner nga Universiteti i Kentit u shpreh se rezultatet e befasuan edhe atë vetë, por duke qenë se shumica e njerëzve e konsiderojnë kafshën si mik apo anëtar familjeje, krahasimi është i justifikuar: “Ndryshe nga miqtë që i takon herë pas here, kafshën e ke çdo ditë pranë.”
Në bashkëpunim me profesorin Michael Gmeiner nga London School of Economics, ajo analizoi të dhënat nga një sondazh me 2,500 familje britanike, duke përdorur një metodë statistikore që ndihmon në dallimin e shkakut nga pasojat.
Për shembull, u mor parasysh mundësia që njerëzit e lumtur zgjedhin të kenë kafshë – dhe jo domosdoshmërisht që kafshët i bëjnë ata të lumtur.
Nëse këto gjetje vërtetohen më tej, autorët sugjerojnë që politikat publike duhet të lehtësojnë mbajtjen e kafshëve, sidomos për qiramarrësit.
Megjithatë, ekspertët si Megan Mueller nga Universiteti Tufts paralajmërojnë që të mos e barazojmë lidhjen me kafshët me ato njerëzore, edhe pse ato ofrojnë një formë të ngjashme mbështetjeje emocionale./Katror.info
Përgatiti:
