Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon të sjellë sfida interesante me rivalitet të fortë, teksa këtë fundjavë zhvillohet xhiroja e tretë e kampionatit, me disa përballje joshëse.
Derbi i kësaj xhiro luhet të dielën në palestrën “Minatori” të Mitrovicës, ku përballen kampionia në fuqi, Trepça, dhe nënkampioni, Bashkimi. Kjo përballje rikujton finalen e zjarrtë të sezonit të kaluar, ku “xehetarët” triumfuan me rezultat 4:2 në seri, pas gjashtë dueleve spektakolare që ngritën adrenalinën e tifozëve në maksimum.
Të dy skuadrat janë pjesë e grupeve të FIBA Europe Cup, gjë që e bën edhe më të veçantë këtë duel mes dy përfaqësueseve të basketbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Aktualisht, Trepça ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Bashkimi e ka nisur sezonin në mënyrë perfekte me dy fitore radhazi.
Java e tretë e Superligës nis sot me ndeshjen ndërmjet Bora dhe GO+ Peja, që zhvillohet po ashtu në “Minatori”. Prishtinasit nga Bora kanë pësuar dy humbje në po aq ndeshje, ndërsa pejanët kanë regjistruar dy fitore bindëse dhe synojnë të vazhdojnë formën e mirë, shkruan RTKlive.
Në të njëjtën ditë, Rahoveci 029 do të debutojë para tifozëve të vet në elitë, ku e pret Sigal Prishtinën, e cila ka dy fitore në dy ndeshjet e para. “Vreshtarët” kanë një fitore dhe një humbje, ndërsa kërkojnë ta befasojnë skuadrën kryeqytetase në shtëpi.
Të dielën zhvillohet edhe dueli i skuadrave që ende nuk kanë shënuar fitore: Golden Eagle Ylli përballet me Vëllaznimin në një përballje me shumë peshë për moralin dhe renditjen e hershme në tabelë.
Superliga e Kosovës/Java e 3-të
E shtunë
- 16:00, Bora-GO+ Peja
- 19:00, Rahoveci 029-Sigal Prishtina
E diel
- 17:00, Golden Eagle Ylli-Vëllaznimi
- 19:00, Trepça-Bashkimi













