Ndërsa për çdo gjë themi se e ardhmja janë fëmijët, ne duhet që pikërisht fëmijët t’i mësojmë se si ta bëjnë më të sigurt këtë të ardhme. Andaj edhe EcoZ dhe Save the Children Kosova për tri vjet kanë punuar me grupet e fëmijëve “Asambleistët Mjedisorë”, duke u fokusuar në mbrojtjen e mjedisit.
Sipas drejtoreshës së EcoZ, Egzona Shala Kadiu, fëmijët janë vendimmarrësit e ardhshëm, me të cilët duhet punuar sot.
“Është shumë e rëndësishme, që përveçse me u diskutu për mjedisin, fëmijët është shumë e rëndësishme me pa edhe modele të mira, me pa superheronj, të cilët dalin edhe mbajnë aktivitete për mjedisin, pa u kufizu në aktivitetet mjedisore vetëm në mbledhje të mbeturinave, po me i pa ruajtësit apo gardianët e lumenjve tanë, me pa që të rinjtë edhe të rriturit marrim veprime për me mbrojtë mjedisin që i bjen me përdorë veturën ma pak, me përdorë autobusin, e ecim më shumë’’ tha ajo.

Trina Hoti, nga Save Children Kosova, e konsideron këtë projekt një storie suksesi, që u bë i mundur falë punës së përbashkët.

“Ne këtë e kemi edhe si kërkesë direkte nga vetë fëmijët përmes raportit të cilin kemi lansu këtë vit, raport nga i cili del që e kemi një përqindje shumë të madhe të fëmijëve, rreth 78% të fëmijëve të cilët mendojnë që qeveria ose komuna duhet të bëjnë më shumë për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe ne e kemi shumë të rëndësishme që bashkë me institucionet, bashkë me partnerët tanë dhe bashkë me fëmijët, të ndriçojmë rrugën përpara për një ambient më të shëndetshëm për çdokënd,’’ theksoi ajo.
Duke pasur parasysh edukimin e hershëm të fëmijëve për mjedisin, sipas Mentor Shalës nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është punuar në krijimin e një formati të thjeshtë dhe të kuputueshem edhe nga ana e fëmijëve, sa i përket çështjës së cilësisë së ajrit.

“Kemi vendosur monitorët e cilësisë së ajrit në Prishtinë dhe në Obiliq, ku qytetarët gjatë lëvizjes mund të shohin si qëndron cilësia e ajrit, në formë të imazheve, dhe ngjyrave, në formë të semaforit, në bazë të ngjyrave kuq, verdhë dhe gjelbër, tregohet cilësia e ajrit në kohë reale,” theksoi ai.
Falë bashkëpunimit mes EcoZ dhe Save the Children Kosova, rreth 2500 nxënës të Kosovës u edukuan mbi ruajtjen e mjedisit, derisa drejtpërdrejt janë të përfshira katër komuna, 25 fëmijë nga Mitrovica, nga Peja, nga Gjakova dhe nga Prishtina.
“Ne e kemi në vizionin tonë përkrahjen e komuniteteve, por me theks të veçantë fëmijët sepse aty fillon veprimtaria adekuate mjedisore edhe është shumë e preferuar, sepse fëmijët janë ata të parët që ndikohen, duke filluar prej ndotjes së ajrit shkaku i madhësisë së tyre trupore, fëmijët janë më të ekspozuarit, por në anën tjetër janë ata të cilët na dominojnë neve në Kosovë, afro 52%, e kjo është edhe arsyeja kryesore që duhet të punojmë me ta, sepse nesër, pasnesër ata do të jenë vendimmarrësit tonë,” thekson Egzona Shala Kadiu.
E kush më mirë sesa mediat mund ta bëjnë një gjë të tillë, duke sensibilizuar opinionin për rrezikun që i kanoset ambientit nga ndotja, por edhe duke promovuar sjelljet e ndërgjegjshme ndaj natyrës. Drejtori ekzekutiv i Katror Media, Muhamet Jashanica, i ftuar në konferencën “United for Future With Children”, e cila përmbyll nismën trevjeçare “Qëndrueshmëria Mjedisore me Fëmijët”, theksoi rëndësinë e kujdesit të përditshëm për mjedisin.
“Ne duhet me u kujdes sot, që të lëmë diçka të gatshme e të mirë nesër për fëmijët tanë, për gjeneratat e reja, sepse nëse ne sot sillemi keq me natyrën, me mjedisin, është shumë e rrezikshme çka kena me ju lanë nesër ose pasnesër fëmijëve tanë e gjeneratave, që vijnë. Nesër këta të rinj, këta fëmijë do të jenë edhe vendimmarrës, edhe e dimë pak a shumë që çështjet mjedisore mandej kanë me qenë në duart të sigurta,” tha Jashanica.

Sipas tij, çështja mjedisore, është diçka e përbashkët, e që u takon të gjithëve; institucioneve në vend të parë në përgatitjen e legjislacionit, vendimeve që i marrin, organizatat të cilat kanë rol vendimtar në përgatitjen e ekspertizave dhe në avokim, e po ashtu edhe medias, e cila luan një rol kyç përmes promovimit të çështjeve mjedisore.
“Bashkërisht edhe me organizatat, ka njëfarë ndikimi të vazhdueshëm, ndoshta jo të menjëherëshëm, por gradualisht, edhe tek fëmijët, edhe tek nxënësit. Ajo që duhet është përgatitja e një strategjie të përbashkët të punës, ose një kryerje e obligimeve që kemi, secila organizatë apo secili institucion apo edhe si qytetarë, dhe do të ketë njëfarë ndikimi gradual,” u shpreh ai.
E vetë asambleistët mjedisorë e cilësojnë projektin si një nga eksperiencat më të mira në jetën e tyre. Ata thonë se dashurinë që tani ka për mjedisin, nuk e kishin në të njëjtën masë si para pjesëmarrjes në projekt.

“Çdo veprim i vogël ka me pasë impakt të madh. Edhe nëse mendoni ju që diçka që ju e bëni për me përmirësu ambientin është diçka shumë e thjeshtë edhe shumë e vogël, ka me pas një impakt të madh se sado që ti e bën, sado që përsëritet edhe bëhet rutinë në jetën tënde, ka me fillu me bo ndryshime,” tha Ema Kuçi, asambleiste mjedisore nga Komuna e Prishtinës.

“Mesazhi më i mirë, që ndoshta kish me me qenë edhe për tjerët, është që mos prit se ndryshimin me fillu tjetërkush, por me me fillu ti vetë, pasi që ndryshimet që ti i merr dhe i vazhdon me tjerët, kanë me pasë një rezultat shumë më të madh, sesa që ti pret prej të tjerëve,” tha Diar Bekteshi, asambleisti mjedisor nga Komuna e Mitrovicës.

“Para se të isha pjesë e projektit të implementuar nga organizata EcoZone, dashuria ime për mjedisin nuk ishte aq e madhe. Por pas përfundimit të tij, falë zonjës Egzona Shala Kadiu dhe organizatës EcoZ, arrita të bëhem një avokat më i mirë dhe më i vendosur për të ruajtur bukurinë e maleve tona në Kosovë,” tha Lekë Cervadiku nga Asambleja Mjedisore e Fëmijëve të Komunës së Prishtinës.
Trina Hoti nga Save the Children, e sheh Asamblenë Mjedisore si një storie suksesi.
“Po mendoj se krijimi i Asamblesë Mjedisore të Fëmijëve është njëra prej sukseseve më të mëdha, është grupi i cili udhëhiqet nga vetë fëmijët, edhe është grup në të cilin ne kemi interesim shumë të madh për ta mbështetur edhe fuqizuar në të ardhmen,” tha Hoti.
E Muhamet Jashanica e vë theksin mbi rolin pozitiv të medias mbi promovimin e çështjeve mjedisore.
“Unë mundem me fol pak a shumë për Katrorin, edhe mundem me shpjegu që prej ditës së parë ka qenë kështu. Çështjet mjedisore na takojnë të gjithëve. Kështu ka me qenë edhe në të ardhmen, sepse nëse i kthejmë fillimit të diskutimit tonë në panel. Çështjet mjedisore janë çështje të përgjithshme, na takojnë të gjithëve. Unë e kam një vajzë. Sot edhe nesër, kur rritet ajo, dhe fëmija e tjerë, nuk kisha pas qejf me ardhë në një pikë ku na thonë po shkojmë në një vend të Bashkimit Evropian me jetu se nuk na keni lënë ajër me marrë këtu,” u shpreh Jashanica.
Fëmijët përmes aktiviteteve në hapësira të gjelbëra, mbollën bimë, pastruan ambientin, mësuan për procesin e dekompozimit dhe e zbatuan atë në praktikë. Brenda këtij projekti të realizuar në partneritet mes EcoZ dhe Save thë Children në Kosovë dhe të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, gjithashtu u realizuan punëtori, trajnime, takime avokuese, podcaste si dhe audiobooks./Katror.info
Përgatiti:
