Në konferencën e Brainstorm Tech në verën e vitit të kaluar, nënkryetari i Google, Prabhakar Raghavan tha se studimet e kompanisë kanë zbuluar se “pothuajse 40 për qind e të rinjve, kur ata janë duke kërkuar për një vend për të ngrënë, nuk shkojnë në Google për të kërkuar. Kërkojnë në TikTok ose Instagram”.
Raghavan tha se në këto kushte, Google duhet të përdorë një teknologji krejtësisht të re për të vazhduar konkurrencën me platformat e reja.
Ka shumë përfitime për përdorimin e TikTok si një motor kërkimi: informacione të përditësuara dhe të shpërndara shpejt (zakonisht të përfshira në video më pak se një minutë), një algoritëm gjithnjë në zhvillim që ju njeh mirë dhe në përgjithësi përmbajtje tërheqëse.
Sipas disa intervistave të bëra, 20 e ca vjeçarët (Gjenerata Z) thonë se informacioni në TikTok është më i personalizuar, në kohë reale dhe më i vlefshëm sesa një rezultat kërkimi në Google.
“Algoritmi i platformës është krijuar për t’u ofruar përdoruesve përmbajtje për të cilën ata ka të ngjarë të jenë të interesuar, bazuar në ndërveprimet e tyre të mëparshme”, tha Abdul Rahim, IT.
“Ky personalizim ka rezultuar në një përvojë shumë tërheqëse dhe argëtuese që i bën përdoruesit të kthehen për më shumë. Për më tepër, TikTok është bërë një qendër për mësimet DIY (Do it yourself), këshillat e modës dhe bukurisë dhe më shumë, duke e bërë atë një burim të shkëlqyer për përdoruesit për të zbuluar produkte, ide dhe tendenca të reja”.
Por këto përfitime mund të jenë edhe negative dhe keqinformuese dhe algoritmi i TikTok, që i mban shumë kohë përdoruesit në aplikacion, e bën shumë të vështirë kontrollin e fakteve.
Platforma, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, nuk e penalizon keqinformimin në platformën e saj, duke i dhënë përparësi angazhimit dhe popullaritetit te përdoruesit.
Por ndërkohë që popullariteti i TikTok po rritet dhe aplikacioni duket sikur po lë në hije Google, duket e pamundur që të zëvendësojë tërësisht motorin numër një të kërkimit në botë.
“Edhe pse Gjenerata Z mund të mbështetet te TikTok për të gjitha llojet e kërkimeve, të thuash se TikTok do të kalojë Google si motori numër një i kërkimit në botë, e lëre më ta zhdukë Google, është shumë”, thotë Nick Sëan, ekspert i teknologjisë.
Edhe Hannah Campbell, drejtoreshë e kompanisë së marketingut dixhital “One Twelve Agency”, thotë se “është deri diku e pamundur që TikTok të zëvendësojë tërësisht Google”.
“Ka ende shumë gjenerata më të vjetra se Gjenerata Z që nuk do ta ndjekin kurrë këtë prirje. Gjithashtu TikTok nuk është aq i mirë për të kërkuar inofrmacione të sakta dhe të gjithë njerëzit e dinë këtë. Në një moment të gjithë futen në Google për të kërkuar informacione”.
Google gjithashtu ka ndërtuar reputacionin e tij gjatë dy dekadave dhe përgjithësisht konsiderohet më i besueshëm se informacioni i gjetur në TikTok.
Për më tepër, Google gjithashtu po përpiqet vazhdimisht të përmirësohet dhe të vazhdojë me konkurrencën.
Google mund të përpiqet të arrijë TikTok duke u bërë pak më shumë si aplikacioni me video. Në shtator të vitit të kaluar, Google njoftoi veçori të reja që do ta bëjnë kërkimin një përvojë më të shpejtë dhe vizuale për përdoruesit./Katror.info