Orkestra e Filharmonisë së Kosovës përmbylli vitin me një Gala Koncert mahnitës të shtunën mbrëma.
Epilogu i mbrëmjes ishte performanca e Marshit të Radetzky-t nga Strauss, nën dirigjimin e violinistes 8-vjeçare Hana Ajeti.
Këtë e ka bërë të ditur Filharmonia e Kosovës, përmes një postimi në rrjete sociale.
Në postim, ndër tjerash theksohet se orkestra, nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, interpretoi një program ekskluziv, plot emocion dhe nostalgji.

“Koreografitë e pavdekshme të mjeshtrit botëror Mikhail Fokine, të shoqëruara nga muzika e Tchaikovsky-t, Saint-Saëns-it dhe Adam-it, erdhën në skenë falë balerinit dhe koreografit ikonik italian Toni Candeloro dhe Martina Arduino, prima balerinës së “Teatro alla Scala” – Milano, mbrëmja solli gjithashtu virtuozitetin e dy instrumentistëve të jashtëzakonshëm: violinistes franceze Anna Göckel, fituese e çmimit prestigjioz “Révélations Classiques de l’ADAMI,” dhe trumbetistit të parë të Filharmonisë së Sofjes, Peter Makedonski ” thuhet në njoftim.

Ndërsa në vitin 2025, Filharmonia e Kosovës do të hapë sezonin e saj me koncertin e parë më 17 janar, në orën 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë.
Në rolin e solistes do të performojë violinistja Abigeila Voshtina, ndërsa koncerti do të drejtohet nga dirigjenti italian Jacopo Sipari di Pescasseroli. /Katror.info
Përgatiti:
