Një nga “flluskat” ekonomike më pozitive për të cilat mund të lexoni është dokumentuar nga Japan Times, ku flitet për pasionin e amerikanëve për letrat dhe materialet e shkrimit.
Furnizuesit japonezë të blloqeve të shënimeve dhe materialeve artizanale janë treguar mëse të gatshëm për të përmbushur këtë kërkesë të eksportit, dhe një kompani në veçanti ka krijuar një planifikues/ditar që ka mahnitur adhuruesit e shënimeve në Amerikë, shkruan Good News Network, transmeton Katror.info.
Por, fillimisht një histori e shkurtër.
Gjatë lulëzimit ekonomik të Japonisë në vitet 1980, falë elektronikës, aksioneve, makinave dhe mediave kulturore, çdo biznesmen i zellshëm kishte një system techō. Këta planifikues ditorë ishin afërsisht në madhësinë e një Biblie kompakte, dhe kushdo që vlerësohej për punën e tij zotëronte dhe përdorte një të tillë.
“Thuhej se një burrë që kishte një system techō mund ta bënte punën mirë, dhe se një burrë që mund ta bënte punën mirë kishte një system techō,” tha Kyo Kohinata për gazetarën e Japan Times, Thu-Huong Ha.

Kohinata është shkrimtar për System Techo Style, një revistë kushtuar gjithçkaje që ka të bëjë me techō-t, çka në vetvete është një tregues se nga po shkon kjo histori.
Me ardhjen e Blackberry dhe telefonave te mençur, techō-t gati sa nuk u zhdukën, por kanë përjetuar një rilindje të pabesueshme. Në të njëjtën mënyrë si Nintendo është sinonim i lojërave portative, Hobonichi është bërë sinonim i system techō.
Që nga viti 2001, Hobonichi ka prodhuar techō-t me një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj detajeve. Faqet rezistente ndaj njollave mbrojnë përdoruesit e stilolapsave me bojë, madhësitë precize të faqeve janë dizajnuar për të përshtatur saktësisht numrin e fotografive A6, dhe kopertinat artistike e tërheqëse kanë mahnitur fillimisht tregun japonez, e më pas atë amerikan.
Techō-ja e parë në gjuhën angleze u hodh në treg në vitin 2013, dhe shitjet shumëfishuan konsumimin e brendshëm. Miliona nga këto ditarë, planifikues dhe blloqe shënimesh herë të çuditshëm, herë profesionalë, shpërndahen çdo vit në mbarë botën, të nxitura nga një komunitet në rrjetet sociale i adhuruesve të shkrimit.

Produktet e Hobonichi janë kthyer në një fenomen më vete.
Edicioni i vitit 2024 i Hobonichi Techō doli në 236 lloje dhe shiti 900,000 njësi.
Edicioni i këtij viti vjen me një libër udhëzues opsional që përmban dëshmi nga 56 persona mbi mënyrën se si përdorin blloqet e tyre të shënimeve, strategjitë për organizim dhe më shumë.
Këto produkte ofrohen në 6 formate: mujore, javore (ana e majtë), javore vertikale, javore horizontale, javore të bllokuara dhe ditore, si dhe në gjashtë madhësi të ndryshme, përfshirë madhësinë e Biblës, A5 dhe ‘Micro’, që është sa një kartë biznesi.
Një tren i ri nga pandemia
Sipas Japan Times, pandemia e COVID-19 rriti më tej interesin për materialet artizanale të shkrimit. Mbyllja e bizneseve “jo thelbësore” dhe qëndrimi në shtëpi krijuan kushte të përshtatshme për të shfryrë frustrimet në faqet e bardha të një ditari të ri.
Edhe pse ato ditë kanë kaluar, për shumë vetë pasioni për shkrimin mbeti, dhe Hobonichi është vetëm maja e një tregu të gjerë të techō-ve dhe kompanive të tjera të materialeve të shkrimit që mahnisin orët e qeta të amerikanëve me atë vëmendje të famshme dhe të dashur për detaje që e bën produktet japoneze kaq të njohura në botë. /Katror.info
Përgatiti:
