Sot në Kosovë, kur i thua dikujt se do të studiosh gazetari ose veçse punon si gazetar/e, shpesh përballesh me lloj lloj komentesh e shikimesh që thuajse thonë: ‘Ndërro profesion sa nuk është shumë vonë’.
Herë të ndikojnë e herë të bëjnë të dyshosh tek vetja, por gjithmonë të shtyjnë të mendosh se nga vijnë këto qëndrime e pakënaqësi kaq të theksuara ndaj gazetarisë në vendin tonë.
Kjo pasqyron mënyrën si shpesh shihet gazetaria sot – një profesion i lodhur nga politika, i stërmbushur me lajme të rreme dhe i mbuluar nga negativiteti. Në këtë realitet, të gjesh hapësirë për të bërë gazetari ndryshe është një frymëmarrje e domosdoshme.
Për mua, kjo hapësirë është Katror Media.
Unë punoj si gazetare tash e katër vjet. Kur dëshira ime për të bërë gazetari ishte më e madhe, mediat që më dukeshin të përshtatshme për mua ishin shumë të pakta.
Katrorit iu bashkova më 22 prill të këtij viti, që do të thotë se e gjeta mediumin në gjysmën e vitit të dytë të ekzistencës së tij – një kohë kur tashmë kishte vendosur themelet e veta dhe fryma e gazetarisë konstruktive ishte e dukshme.
Katror Media dallon sepse fokusohet në gazetari konstruktive dhe në lajme të mira. Jo në kuptimin e lajmeve të ëmbla që injorojnë realitetin, por në kuptimin e thellë të tregimit të atyre historive që sjellin zgjidhje, që japin shpresë, që forcojnë komunitetin dhe tregojnë se edhe në mesin e problemeve, njerëzit po krijojnë diçka të bukur.
Në Katror kam mësuar se gazetaria nuk ka pse të kufizohet vetëm te problemet. Përkundrazi, ajo mund edhe të tregojë histori që ofrojnë zgjidhje, që frymëzojnë, që japin shpresë.
Ky medium, që tash e tre vite funksionon me përkushtim, më ka dhënë lirinë të shkruaj për tema që unë dua, pa imponime, pa kufizime dhe pa censurë. Si një video gazetare, kur shkruaj dhe raportoj nga terreni për dikë që ka ndërtuar diçka të bukur, për një komunitet që ka gjetur zgjidhje, apo për një histori që sjell frymëzim, unë nuk po sjell vetëm një lajm – po sjell një arsye pse publiku të ketë më shumë besim e shpresë.
Përvoja ime në Katror Media më ka treguar se publiku ka nevojë edhe për diçka tjetër; për gazetari që nuk gjykon, por që kupton; që nuk frikëson, por që ofron shpresë; që nuk përhap vetëm problem, por edhe zgjidhje.
Kur je pjesë e një mediumi që e kupton këtë përgjegjësi, çdo artikull bëhet më shumë se një tekst – është një dritare drejt një bote më të drejtë dhe më të shëndetshme.
Në trevjetorin e tij, Katrori vazhdon të jetë i njëjti – i përkushtuar ndaj gazetarisë konstruktive dhe lajmeve që sjellin vlerë për publikun.