Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, mbajti sot një seancë informuese para Komitetit Ushtarak të NATO-s në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel, ku prezantoi gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet e vazhdueshme të misionit.
Gjatë paraqitjes së tij, gjenerali theksoi Barduani arritjet e gjashtë muajve të fundit, që nga marrja e komandës në tetor të vitit 2024, dhe nënvizoi rëndësinë e një qasjeje operacionale proaktive për përmbushjen e sfidave aktuale dhe përgatitjen ndaj atyre të mundshme në të ardhmen.
Duke folur për gjendjen e sigurisë, ai vlerësoi se ajo mbetet e brishtë, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në rajon dhe mungesës së progresit të mjaftueshëm në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në këtë drejtim, ai ritheksoi mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si rruga më e qëndrueshme për të arritur një marrëveshje që sjell përfitime për të gjitha komunitetet, përcjell Telegrafi.
Gjenerali Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin afatgjatë të Kombeve të Bashkuara.
Për punën dhe angazhimin e tij, ai mori vlerësime të larta nga Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i cili e cilësoi udhëheqjen e gjeneralit Barduani si një faktor kyç në konsolidimin e sigurisë në Kosovë dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal. /Katror.info
Përgatiti:
