Universiteti i Prishtinës (UP) shënon një progres të jashtëzakonshëm në prodhimin shkencor, me 3,910 punime të publikuara në revista të indeksuara në Scopus dhe Web of Science nga stafi akademik aktual. Sipas të dhënave të ORCA-s, vetëm nga viti 2018 deri në 2024 janë regjistruar 2,700 punime, që përbëjnë 69% të të gjithë punës shkencore të UP-së që nga themelimi i saj.
Ky ritëm i përshpejtuar i prodhimit shkencor është dy herë më i madh se ai i dy dekadave të mëparshme, duke treguar një transformim të dukshëm të universitetit në fushën akademike. Përmirësimi reflektohet edhe në justifikimin e titujve akademikë: në vitin 2018, 59% e stafit nuk i justifikonin titujt e tyre, ndërsa në vitin 2024 kjo përqindje ka rënë në 26%.
ORCA vlerëson përpjekjet e të gjithë shoqërisë kosovare për arsim cilësor, duke filluar nga protestat studentore dhe qytetare të vitit 2014, të cilat kërkonin integritet akademik, e deri te ligjet dhe rregulloret që kanë mundësuar këtë zhvillim.
Mirënjohje i shkon gjithashtu shteteve mike dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në avancimin e cilësisë dhe integritetit në arsimin e lartë. Projekti Higher Education Intervention 2025, i financuar nga Austrian Development Agency dhe zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe ORCA, ka luajtur një rol kyç në këtë përparim./Katror.info









