Intervistë me Xhevahire Mazrekaj, autore e librit “Venus”, mjetet nga shitja e të cilit do të dhurohen për pacientët e neurologjisë
Ka njerëz të tillë që prej fatkeqësisë ngriten dhe e gjejnë e shpërndajnë dritën e tyre përreth. E tillë është edhe deçanasja, Xhevahire Mazrekaj, kimiste, ekonomiste që së fundmi e provoi vetën edhe në penë me botimin e librit “Venus”.
Në bashkëbisedim ajo rrëfen gjëra nga jeta dhe përditshmëria e saj, ajo rrëfen ndër të tjera mënyrën se si ndryshimet që do t’i shoh në botë i nis nga vetja.
- Si u bë që formësimin intelektual e zhvillove mes dy rrugësh: kimisë dhe ekonomisë?
Lidhja me kiminë ka ardhë si dëshirë për të studiuar mjekësinë, por nuk u pranova pastaj u futa në kimi për të provuar prapë të regjistrohem në mjekësi vitin tjetër. Tash e them që isha me fat që nuk më kanë pranu në mjekësi sepse nuk kisha mundë të bëhem ajo që jam sot.
Fakulteti i kimisë ka shkuar shumë mirë, në atë kohë gjeta punë si asistente e auditores në një kompani prestigjioze të atëhershme dhe punova 10 vjet aty. Nga aty më lindi ideja me regjistru ekonomikun se më është dashtë edhe për punë ndërsa me kimi nuk kam kërkuar punë asnjëherë. Nuk pendohem për kohën që ja kam kushtuar sepse personaliteti im u formua në mes të dy rrugëve
- Po lidhja me shkrimin si u bë kaq e fortë?
Unë e kam pasë si dëshirë me shkru gjithmonë, e kam pasë si talent të lindur. Jam marrë me shkrime nëpër gazeta, fillova me shkru poezi të ndryshme gjatë cikleve të ndryshme jetësore edhe një ditë prej ditësh vendosa për me botu një libër. Si rrjedhojë, e pa dritën e botimit “Venus” libri im.
- Pse Venus dhe çka mundet me gjetë lexuesi në atë libër?
Emrin Venus e ka marrë sipas planetit, dmth aty kam dashtë me pasqyru vetën time, me tregu që mundem me shkëlqy edhe atëherë kur jam vetëm, edhe atëherë kur jam në gjendjen më të ulët, edhe atëherë kur nuk kam përkrahje. Prandaj edhe e titullova “Venus”.
Venus është veja ime tjetër, është libër poetik, janë poezi filozofike, përjetime të miat që i kam qitë në letër dhe janë rutina ime për një kohë të caktume. Me Venus-in, figurativisht kam dashtë me cekë që pavarësisht sprovave jetësore ne duhet me qenë ylli i parë i vetes sonë, gjithherë me ndi vetën si yll që shndrit.
- Jeta njihet për sfidat që sjell, si ke arritë ti me rujtë shkëlqimin deri në këtë masë sa me përçu edhe të tjerët, në këtë rast përmes librit?
Përmes vullnetit, dëshirës edhe kur je e lumtur me gjithçka që të rrethon?
- Si e ke gjettë rrugën te lumturia jote e brendshme?
Unë jam mirënjohëse për gjithë bollëkun që universi ma ka kriju, ma ka ofru edhe nuk jam falënderuese veç sot për sot, por jam falënderuese në mënyrë sistematike çdo ditë. E arrij këtë qetësi shpirtërore dhe lumturi që e kam prej rutinës time, frymëzohem prej pasioneve të mia, pasionet e mia mua më motivojnë.
- Ndërsa sa i përket natyrës së ndërlikuar njerëzore, raporteve ndërnjerëzore a ka qenë ndonjë pjesë e saj, burim i frymëzimit tënd? Vëzhgimi i njerëzve qysh jetojnë dhe veprojnë ka ditur të jetë burim frymëzimi për shumë njerëz që shkruajnë?
Kohë pas kohe jam frymëzu. Për “Venus”, ndoshta jam inspiruar edhe në autobus, në rrugë, me ndonjë vend të caktuar. Do të thotë më ka inspiruar gjithçka që ka qenë para syve të mi.
- Kur ka filluar procesi krijues i poezive të librit dhe si erdhi deri te finalizimi?
Nuk kam ndonjë periudhë të caktuar kur shkrimi i poezive ka fillu, poezitë kanë fillu bashkë me jetën teme edhe kanë përfundu në vitin 2021 për këtë libër. Janë poezi të shkurta, janë përjetime të mia, janë poezi me inspirim momental, në numër 100 sosh.
- Po stili yt i të shkruarit, a është diçka që ka pësu ndryshime gjatë jetës, rritjes tënde si individ, zhvillimit tënd si personalitet?
Unë kam pasë qejf gjithmonë me qenë vetja, me kriju identitet në bazë të qëllimeve të mia edhe e kam bo atë gjë.
- A ka arritë “Venus” në duart e lexuesit dhe si është pritur edhe pse ka krejt pak ditë nga botimi?
Dua që të falënderoj të gjithë dashamirët e librit, deri tash ka pasë interesim të jashtëzakonshëm, kërkesa për Venus Kam marrë edhe lavdata shumë të mëdha nga njerëzit që i kanë lexu, kanë thënë se ishin poezi të pranueshme, poezi normal filozofike të dashurisë, por të pranueshme.
- A ndodhi ndonjëherë gjatë këtij udhëtimi që të kesh dilema, pasë parasysh mendimin që mbizotërues se ka humbur interesimi për librin e shtypur dhe është kthyer kah mediat sociale?
Pavarësisht që teknologjia e ndryshoi edhe ritmin e botës, ndjesinë që ta krijon aroma edhe energjia e librit fizik, nuk ka asgjë që e zëvëndëson. Unë nuk kam pasë asnjëherë dilemë për këtë meqë edhe vet jam lexuese pasionante dhe asnjëherë nuk kam pasur dilemë që “Venus” mundet mos me pasë lexueshmëri. Se ne atë çka e mendojmë ajo ndodhë, mendimet bëhen gjëra. Unë gjithmonë e kam pasë të fiksumë mendimin që “Venus” ka me pasë lexueshmëri edhe ashtu ndodhi, në fakt i tejkaloi pritshmëritë e mia.
- Pse zgjodhe që “Venusin” t’ia dedikosh pacientëve të neurologjisë?
Unë për vete jam sprovu me shëndetin në një periudhë të caktume. Aty i kam pa prej afër vështirësitë e pacientëve për gjana elementare, për materiale shpenzues dhe aty më ka lindë ideja që nëse unë ndonjëherë e bëj një produkt timin pa marrë parasysh çka do ta dhuroj për pacientët. Unë vet kam qenë e atakuar prej sulmit neurologjik në vitin 2020 dhe kisha me shku me kry tretmane të sëmundjes dhe trajtime në klinkën e neurologjisë. Sot jam shumë e lumtur që krejt të hyrat do të shkojnë për ta.
- Qysh është i organizumë procesi i shitjes?
Kauza është shumë e brishtë dhe njerëzit në mundësinë e vet po i bashkohen, duke e ble.
Tirazhi është 200 copë dhe mund të gjendet në librarinë Dukagjini. Të gjitha shitjet që i kam bërë në mënyrë individuale mendoj t’i dhuroj më herët, ndërsa ato që shiten në mënyrë institucionale nuk do të dhurohen derisa të përfundojë krejt procesi. Më gëzon fakti që Shoqata e Neurologjisë e ka arkën, xhirollogarinë, mjetet shkojnë në mënyrë institucionale dhe nuk ka keqpëdorime të fondeve për asnjë cent.
- Çka janë projektimet, planet e tua për të ardhmen?
Nuk mendoj që ta lo shkrimin, mendoj me vazhdu, mirëpo me poezi e kam mbyllë këtë cikël, nuk mendoj më. Nëse del në vazhdim një libër tjetër, botim i ri, ka me qenë prozë ose roman. Thjesht unë po du me eksploru potencialin tim.
- A mendon që iniciativat tona krejtësisht vullnetare e kanë forcën të udhëheqin ndryshime të mëdha në shoqërinë/komunitetin tonë?
Mudemi të bëjmë ndryshime, kur vullneti ekziston. Ne gjithherë duhet me e nisë ndryshimin prej vetes tonë, nëse ne ndryshojmë, ndryshon gjithçka që e shohim përballë neve. Unë nuk mundem me i thanë dikujt ndrysho nëse vet nuk ndryshoj. Ndryshimi ekziston, ndryshimi është i mundshëm edhe nisë prej vetes tonë.
- A mundesh me dhënë një mesazh, si një njeri që vet ka bërë punë vullnetare për të inkurajuar njerëzit e tjerë që të ndërmarrin iniciativa të ngjashme?
Askush nuk është varfënu t’u dhanë pa marrë parasysh çka, secili prej neve e ka mundësinë të bëj diçka të mirë në aspekt shpirtëror dhe kjo gjë na bën më altruistë.
Libri poetik, “Venus” u financua nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.