Stili i modës së Adam Sandler, ose më saktë mungesa e tij, fitoi edhe më shumë famë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar të dielën, kur moderatori Conan O’Brien e talli pamjen e tij me nje hoodie dhe pantollona të shkurtër në një nga skeçet e natës.
O’Brien, që ishte duke moderuar për herë të parë Oscarët, iu drejtua audiencës duke u thënë atyre se “për një natë kaq prestigjioze, është e rëndësishme që të gjithë të veshin siç duhet.”
“Adam,” tha ai duke e ndjekur me shikim, ndërsa kamera u kthye drejt yllit të “Uncut Gems”, që ndodhej në audiencë me një bluzë me kapuç të kaltër, pantollona të shkurtë palestre, çorape dhe atlete. “Çfarë po vesh?”
Sandler filloi duke luajtur si i pafajshëm, por duke u bërë gjithnjë e më i zemëruar ndërsa O’Brien e tallte, duke i thënë “je veshur si një djalë që luan video poker në orën 2 të mëngjesit.”
“Mua më pëlqen si dukem,” u përgjigj Sandler. “Sepse jam një person i mirë; nuk më intereson çfarë vesh ose çfarë nuk vesh. A të ofenduan kaq shumë pantollonat e shkurtër dhe pulovra ime e butë saqë duhej të më tallje para kolegëve të mi?”
Më pas, ai u ngrit për të ikur dhe iu drejtua audiencës, duke i ftuar ata të bashkoheshin për një lojë basketbolli “pesë kundër pesë” më vonë, shkruan CNN, transmeton Katror.info.
Pasi pa në audiencë nominimin për Aktorin më të Mirë, Timothée Chalamet, ai shpërtheu me thirrjen “Chalamet!” dhe i dha një përqafim yllit të “A Complete Unknown”.
Misioni u realizua, duartrokitjet e audiencës u siguruan, dhe Sandler u largua nga teatri duke ngritur duar lart, ndërsa O’Brien e përshëndeti nga skena.
Ky moment u bë menjëherë viral në rrjetet sociale, duke grumbulluar miliona shikime në X dhe YouTube.
Stili i tij i papërpunuar ka bërë që Sandler të jetë një ikonë e papritur mode dhe të fitojë një bazë të madhe fansash te Gen Z, shumë prej të cilëve ndajnë veshjet e tij të preferuara në TikTok. /Katror.info
Përgatiti:
