Vushtrrisë i është shtuar grupi i baletit, kërkesë dhe nevojë e fëmijëve vushtrrias. Në praninë e fëmijëve, kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, ka nënshkruar marrëveshje me drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi.
Koreografë profesionistë të Baletit Kombëtar të Kosovës, do t’i mbajnë orët për balerinët e rinj, shkruan Ekonomia Online.
Kryetari Ferit Idrizi, tha se komuna të cilën ai e drejton do të ofrojë gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe se do të jenë gjithmonë afër fëmijëve në mbështetjen e tyre.

“Këtu në këtë ngjarje shumë të rëndësishme që ndodhë për herë të parë në Komunën e Vushtrrisë ta kemi edhe Teatrin e Baletit këtu në këtë objekt të bukur të Shtëpisë së Kulturës, me qëllim që grupmoshat e këtyre të rinjve dhe të rejave të përgatiten edhe në balet që është një sektor i ri për Komunën e Vushtrrisë. Kjo marrëveshje që sapo e nënshkruam i hap rrugë zhvillimit të baletit ku Teatri Kombëtar i Baletit do të ofroj një mësues profesionist i cili do të përgatis këta vogëlush dhe vogëlushe, ndërkaq Komuna e Vushtrrisë do të ofrojë gjithë infrastrukturën e nevojshme do të jemi shumë afër me këta fëmijë në mbështetjen e tyre”, ka thënë Idrizi.
E drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, tha se se është shumë i kënaqur për bashkëpunimin me Komunën e Vushtrrisë, duke shtuar se Baleti Kombëtarë i Kosovës ka për mision që t’iu gjendet pranë gjithmonë gjeneratave të reja për t’iu ofruar mundësinë kudo që ata janë.

“Unë ju falënderoj që keni shprehur vullnetin për më bashkëpunuar me Baletin Kombëtarë të Kosovës. Institucioni jonë e ka pasur në të kaluarën për mision dhe e ka edhe për të ardhme që përveç prodhimit të produksionit dhe baletit të gjendemi edhe pranë gjeneratave të reja për t’iu ofruar mundësinë kudo që gjenerata e reja, fillimisht të njihen me artin e bukur të baletit dhe po ashtu të kenë mundësinë që të marrin mësime nga profesionistet e Baletit Kombëtarë të Kosovës. Jam tejet i kënaqur më këtë bashkëpunim dhe shpresoj që do të shkoj gjithçka mbarë”, tha ai.
Në vazhdim, të pranishmit patën rastin të ndjekin shfaqjen “Sisters” nga Baleti Kombëtar i Kosovës./Katror.info