Aseti i rëndësishëm kulturor me vlera historike, Xhubleta shqiptare, është marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Xhubleta është pranuar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të organizatës, dhe tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Kjo u bë e ditur Ministrja e Kulturës së Shqipërisë Elva Margariti.
“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë #kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!”, shkroi ministrja.
Prodhimi i xhubletës tradicionale me të gjithë parametrat e saj ka ndalur në vitet ’50 apo ’60. Prodhimi i saj kërkonte 6 deri në 8 muaj. Xhubleta në trajtë kambane, e valëzuar në pjesën e pasme, ruan fort mirë në kohë lufte identitetin e kombit shqiptar, nëpërmjet motiveve edhe simboleve të ndryshme.
Veshja konsiderohet unike për shkak të formës, strukturës dhe mënyrës se si është zbukuruar me grep.