Më 24 dhe 26 maj, Sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të gjallërohet me ngjyrat e kulturës, falë edicionit të 23-të të Festivalit Ndërkombëtar për Fëmijë “Ylberi i Prishtinës”.
Ky festival do të mbledhë qendra kulturore nga dhjetëra vende, duke krijuar një hapësirë për promovimin e trashëgimisë kulturore përmes vallëzimit dhe performancave artistike.
Në festival do të marrin pjesë grupe valltarësh nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Ukraina, Venezuela dhe Kirgistani. Ata do të prezantojnë traditat e tyre përmes valleve folklorike dhe interpretimeve artistike, duke sjellë një përzierje të pasur të kulturave dhe traditave nga vende të ndryshme, ka njoftuar Qendra Kultutore për Fëmijë që e organizon këtë festival.
Sipas organizatorëve, festivali synon të krijojë një platformë për shkëmbimin kulturor mes fëmijëve, duke nxitur njohjen dhe ruajtjen e traditave.
“Ky festival sjell së bashku fëmijë nga vende të ndryshme për të festuar kulturën dhe traditat përmes valleve dhe këngëve tradicionale,” thanë organizatorët.
Me një program të larmishëm dhe pjesëmarrje të gjerë, festivali pritet të tërheqë vëmendjen e publikut dhe të shërbejë si një pikë takimi për bashkëpunim kulturor mes fëmijëve dhe grupeve artistike nga e gjithë bota.. /Katror.info
Përgatiti:
