Interpretimi mbi njëqind herë i “Messiah” të George Frideric Handelit nuk është vetëm numër për të, kritika e çmon “qartësinë e jashtëzakonshme emocionale” dhe “zërin e pastër dhe të ndritshëm” e po kjo vepër e solli në Kosovë, që është vendi i parë që viziton në Ballkan. Këtu gjeti atë që s’e has kudo. “Mënyra ballkanike e të kënduarit buron nga trupi, nga brenda. Ka shumë mbështetje të vërtetë dhe kjo është si një gjuhë emotive”, thotë tenori britanik, Kieran White. Sipas tij, nuk ngjan në shumë vende ku mund të ecësh për pesë minuta dhe të shohësh tri monumente sikurse në Prishtinë
E gjithë karriera e tij lidhet me oratoriumin “Messiah” të Handelit. Ka lidhje të veçantë me veprën të cilën e ka interpretuar mbi njëqind herë. Me të nisi rrugëtimin si këngëtar profesionist dhe olimpin e karrierës së tij e konsideron njërin prej koncerteve në të cilin e ka interpretuar veprën e periudhës së barokut.
Tenori britanik, Kieran White, e ka sjellë në Prishtinë me qasje tjetër muzikore, në rrethana e kushte krejt ndryshe.
Kënga e tij lirike është shumë e qartë. Për publikun, i cili dy dekada më parë e ka përjetuar për herë të fundit dhe të parë në Prishtinë një prej oratoriumeve më të famshme, është kujdesur që secila fjalë të kuptohet. Që mesazhet të jenë të qarta. Është rrëfyer si Evangjelisti me vokalin e tij të ngrohtë e tonin e butë.
Për cilësi të tilla edhe është i njohur dhe kjo e bën atë shumë të kërkuar në të gjithë kontinentin e deri në Shtetet e Bashkuara, si solist në koncerte e në role operash.
Me gjithë bagazhin e tij e veprimtarinë me të cilën është formësuar që nga fëmijëria, do të vinte në Prishtinë për ta sjellë veprën ikonike të gjermanit Handel.
“Unë vij nga jugu i Anglisë dhe atje gjyshja ime këndonte me një kor të vogël në një kishë lokale. Si pesëvjeçar këndoja me të në kor dhe një vit më pas iu bashkova korit. Kur mbusha nëntë vjeç u bashkova në korin e katedrales dhe kjo ishte pika kur e mora seriozisht, sepse atëherë ndiqja edhe mësimet në shkollë. Këndoja çdo ditë dhe kështu fillova në mënyrë serioze me këndimin”, shprehet tenori White.
Reputacion të veçantë në skenën muzikore ka për “Messiah” të Georg Frideric Handel, një prej veprave korale më të njohura dhe më të interpretuara në skenën muzikore.
Aty, siç mund të ngjajë në veprat e tjera që White ka interpretuar, nuk ka pjesë dramatike, vetëm zë narrativ që dominon gjithë formacionin, që përfshin solistë, kor dhe orkestër. Loja e tyre është minimale kur, jo vetëm ai, por solistët në përgjithësi interpretojnë. Më 9 e 10 maj, ai qe në një prej koncerteve me të cilat u shënua 25-vjetori i themelimit të Filharmonisë së Kosovës.
“Messiah” nuk qe veç një vepër e zakonshme në repertorin e institucionit. Qe homazh për dirigjentin e parë në Kosovë dhe një prej themeluesve të Filharmonisë, Bahri Çela. Dy dekada më parë, me një formacion më të vogël dhe në kushte krejtësisht të njëjta, në Sallën e Kuqe, do të testonte gjeneratën e sotme të skenës së muzikës klasike duke sjellë fragmente të oratoriumit.
Dy dekada pas, Kori e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, bashkë me solistë tenorin Kieran White, sopranon Kaltrina Miftari, kontratenorin Nathan Mercieca, baritonin Jack Lawrence-Jones, si dhe instrumentistët Cédric Meyer në llaut, Stephanie Gurga në çembalo dhe Lekë Salihun në organo e tastierë, e konfirmuan suksesin.
Përjetimi i plotë i veprës te publiku, për tenorin White, e bën atë të ndiejë përgjegjësinë e pasqyrimit të veprës së shpirtit.
“Që para koncertit veçse e dija që publiku nuk e ka dëgjuar ‘Messiah’. Kam dëgjuar që në Kosovë është luajtur dy herë brenda 25 vjetësh, përfshirë koncertin ku isha solist. Ishte ndjenjë e veçantë të dija se ata nuk kishin këngëtarë të tjerë në mendje duke e kënduar këtë vepër. Kjo përbën edhe presion të madh për mua, sepse është vepër e re për ta dhe doja ta bëja punën time siç është më së miri. Në të njëjtën kohë, edhe nëse e bëja, askush nuk do të më gjykonte për mënyrën sesi do ta këndoja”, shprehet ai.
Për të ishte parësore që një publik që nuk e njeh veprën ta pranonte qartë mesazhin.“Kjo më bëri të mendoja se çfarë mund të bëj muzikalisht për ta bërë edhe më të mirë, sepse nëse e këndon krejtësisht në mënyrën sesi është e shkruar, atëherë mund të bëhet e mërzitshme. Të këndosh me Korin ishte vërtet mrekullueshëm. Më rrëqethej trupi duke i dëgjuar tek e këndojnë për herë të parë”, tregon tenori britanik i skenave botërore.
E ka kënduar veprën rreth njëqind herë. Tekstin e ka memorizuar krejtësisht. Partiturat i mbante në duar, por shikimin e kishte te publiku. Atyre u rrëfehej më shumë sesa u këndonte. Ai thotë se vepra ishte shumë më ndryshe, ngase interpretohet zakonisht.
“Emocionet ishin të vërteta dhe mënyra sesi e kanë kënduar si kor, nuk do të këndohej në Angli, nuk po e them se ishte mirë apo keq, por ishte ndryshe dhe vërtet jam kënaqur duke e dëgjuar interpretimin e tyre. Mënyra ballkanike e të kënduarit buron nga trupi, nga brenda. Ka shumë mbështetje të vërtetë dhe kjo është si një gjuhë emotive. Ishte shumë prekëse”, thotë tenori i vlerësuar për “qartësinë e jashtëzakonshme emocionale” dhe “zërin e pastër dhe të ndritshëm” nga “Opera Magazine” dhe “The Guardian”.
Ndryshe janë edhe rrethanat. Kushtet nuk i komenton, por veprën me përmbajtje sakrale, zakonisht e ka interpretuar në koncertet në kohën e festave të fundvitit. Hera e fundit ka qenë fundviti i kaluar me Filharmoninë e New Yorkut. Këtë moment e konsideron edhe olimpin e sukseseve të tij. Qe moment historik në karrierën e tij ndërkombëtare.
“Herën e fundit që e këndova ‘Messiah’ ishte dhjetorin e kaluar dhe ishte debutimi im si solist në Amerikë me Filharmoninë e New Yorkut. Ishte sukses i madh për mua dhe nuk e mendoja dhe, nga prapavija e famës, nuk e mendoja se do të këndoja në atë skenë. Ishte udhëhequr nga një prej dirigjentëve më të famshëm dhe mbase edhe më të mëdhenj të barokut në botë, nga holandezi Ton Koopman. Kjo është një prej ngjarjeve më madhështore të mia”, shprehet Kieran White.
Por veprën e ka kënduar si fëmijë.
“Pasioni për barokun vjen nga të qenit korist dhe duke kënduar muzikë të barokut dhe renesancës që nga mosha e hershme. Në Angli, nëse dikush ka kënduar si fëmijë, njihet për standarde të larta këndimi, që këndon gjatë gjithë kohës”, thotë ai derisa rrëfen lidhjen e veçantë me veprën.
“Veçantia e veprës ‘Messiah’ tek unë është që është diçka që gjithmonë do ta këndoj, që nuk mërzitem asnjëherë prej saj. Kurdo që e luaj është gjithmonë ndryshe, duke u bazuar në korin, dirigjentin, orkestrën e të tjera. Unë ndryshoj mënyrën sesi e interpretoj bazuar në projekt, sepse nuk dua të ngujohem në një mënyrë. Janë ndjenjat momentale. Në Angli është vepër shumë e veçantë. Është mbase oratoriumi më i luajtur në Mbretërinë e Bashkuar”, vazhdon ai.
Ai ka bërë katër vjet bachelor dhe dy master në Akademinë e Muzikës në Londër. Më pas ka vazhduar studimet edhe për pesë vjet shtesë në Francë, ku veçse po performonte dhe po ndiqte karrierën e tij profesionale. Megjithatë, ky profesion kërkon përkushtim gjatë gjithë jetës.
“Ky profesion kërkon shumë përkushtim, shumë ushtrime. Në fillim të karrierës duhet të përmirësosh teknikat në mënyrë që më vonë të mund të mbështetesh në atë teknikë kur ke shumë angazhime dhe nuk ke kohë ta praktikosh shumë. Niveli më i madh i përkushtimit është të mësosh se si të përkthesh gjuhët që duhet të këndosh. Unë këndoj shumë në anglisht, por muzika barok është ose në gjuhën frënge ose gjermane”, thotë White.
Një prej momenteve të rëndësishme në karrierë janë edhe incizimi i “Lully’s Atys” me ansamblin “Les Talens Lyriques” në Pallatin e Versajës, sikurse edhe performancat në “Opéra Royal de Versailles” dhe “Konzerthaus Vienna”.
“E veçantë ishte performanca në Versajë me një ansambël baroku vitin e kaluar. Por në fakt mendoj se përgjigjja më e rëndësishme është të gjenden gjëra që ti për vete do që t’i arrish në karrierë, sepse është biznes shumë i vështirë, karriera është bërë e vështirë për momentin. Nëse nuk e do me të vërtetë, atëherë për dikë do të jetë barrë e rëndë”, shprehet Kieran White.
I lindur në Dorset të Anglisë, White filloi të këndonte si korist në “Sherborne Abbey” dhe pastaj në Katedralen Wells. Ai studioi në Shkollën e kësaj katedraleje, para se të trajnohej në Akademinë Mbretërore të Muzikës.
Ai është shfaqur në programe në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë. Vlerësohet se ndjeshmëria e tij ndaj gjuhës, frazimit dhe stilit historik e bëjnë atë një interpretues bindës të veprave vokale.
White është laureat i disa garave me nam. Mori çmimin e parë në garën ndërkombëtare “Aria Borealis Bodø” për Këngë Barok (Norvegji, 2022), Çmimin e Dytë në ”Concours International de Chant Baroque de Froville” (Francë, 2021) dhe ishte finalist në konkursin “Cesti” të Innsbruck.
Në Prishtinë ka qenë për herë të parë. Kosova është i vetmi vend ballkanik të cilin e ka shkelur, e me këtë rast është njoftuar edhe me një copëz të historisë së vendit e hapësirave të kryeqytetit.
“Ishte kënaqësi të vija në një vend që nuk kam qenë asnjëherë. Nuk kam qenë kurrë në një vend ballkanik dhe jam pritur shumë ngrohtë. Shkuam pranë kishës, e më pas në Bibliotekën Kombëtare dhe në katedrale, e cila ishte shumë e veçantë. Po u thosha kolegëve të mi se nuk ngjan në shumë vende ku mund të ecësh për pesë minuta dhe të shohësh tri monumente që janë në listë të qytetit për t’u parë. Do të shkoj të shoh edhe një xhami dhe kaq për vizitën në Prishtinë”, është shprehur White, një ditë pas koncertit të parë në kryeqytet. Me ekspresivitetin e tij, Kieran White ka sjellë historinë me narrativën e tij nëpërmjet këngës e thellësinë emocionale./Koha.net/Katror.info