Në rajonin e Zhupës ka nisur funksionimi i një fabrike të re për prodhimin e pjesëve të brendshme të automjeteve, një projekt që shënon investim prej 10 milionë eurosh nga një kompani turke. Përurimi i fabrikës u bë nga zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, e cila theksoi rëndësinë e kësaj iniciative për përmirësimin ekonomik lokal dhe fuqizimin e grave.
“Me këtë hapen dyert për më shumë se 200 punëtorë, shumica prej tyre gra. Kjo nënkupton jo vetëm punësim, por edhe stabilitet financiar dhe zhvillim ekonomik për familjet e rajonit,” deklaroi Rexhepi gjatë ceremonisë së hapjes.
Fillimisht, do të punësohen mbi 100 gra, të cilat do të trajnohen për pozitat e tyre, ndërsa në fazën e dytë parashikohet punësimi i 100 grave të tjera. Afaristi Serkan Ayik, përfaqësues i kompanisë investuese, tha se vendimi për hapjen e fabrikës në Kosovë u mor pas rekomandimeve të shumta për zhvillimin e biznesit në këtë treg dhe në rajonin e Ballkanit.
“Ne tashmë kemi klientë të shumtë në Kosovë dhe Ballkan. Ky projekt është një mundësi për të kontribuar në ekonominë lokale dhe për të fuqizuar punëtorët,” tha Ayik.
Projekti, i cili përfshin investime fillestare prej 1 milion eurosh, përfaqëson një hap të madh për industrinë dhe përfshirjen e grave në fuqinë punëtore, duke përforcuar stabilitetin ekonomik të komunitetit lokal./Katror.info