Elina Mäkinen është gruaja e parë finlandeze që përfundoi ‘Ice Mile’.
Nga vallëzimi shumëngjyrësh i ‘Dritave Veriore’ deri tek drerët që enden të lirë, Finlanda është një mrekulli e vërtetë dimërore.
Peizazhet e ngrira të Arktikut, ujërat e saj të kristalta dhe tradita e pasur e saunës krijojnë një mjedis të përsosur për larjen në akull – një praktikë tradicionale që përfshin zhytjen e trupit, tërësisht ose pjesërisht, në ujë të akullt.
Këtu janë përvojat e saj më të mira të larjes në akull, nga zhytjet nën Dritat Veriore deri te homazhet ndaj perëndive Arktike, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
BBC bisedoi me notarën finlandeze në akull, Elina Mäkinen, për të zbuluar më shumë rreth këtij rituali të shenjtë të kujdesit për veten. E njohur për thyerjen e rekordeve në notin në distanca të gjata në akull, Mäkinen thekson se noti dhe larja në akull janë përvoja personale dhe jo konkurruese.
“Unë kam nevojë të konkurroj vetëm me veten time, gropa e akullit është një vend ku mund të mësosh për veten dhe reagimet e tua”, shprehet ajo
Kultura e saunës në Finlandë, e cila është përfshirë në ‘Trashëgiminë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO’ ka një histori mijëra vjeçare. Larja në akull ka qenë gjithmonë një pjesë tradicionale që shoqëron seancat dimërore të saunës.
Kohët e fundit, kjo praktikë ka fituar popullaritet dhe përfitimet e saj për shëndetin janë bërë gjithnjë e më të njohura.

Kultura e saunës dhe larjes në akull në Finlandë
Elina Mäkinen, notare e njohur për thyerjen e rekordeve në notin në akull, shpjegon se larja në ujëra të akullta ka fituar popullaritet gjithnjë e më shumë pas pandemisë së Covid-19.
“Dikur, shumë njerëz e praktikonin për të lehtësuar dhimbje, si ato nga reuma. Sot, nuk ka nevojë për një arsye specifike për t’u zhytur,” thotë ajo. Larja në akull tani është një aktivitet që krahasohet me praktikat si yoga dhe meditimi, duke u fokusuar në vetë-zbulimin. Njerëzit e përdorin për përfitime të ndryshme, si përmirësimi i cilësisë së gjumit apo një zgjim më të shpejtë në mëngjes” tha ajo.
Në qytete si Helsinki dhe Tampere – kryeqyteti botëror i saunës, shumë sauna tradicionale dhe spa moderne pranë liqeneve ofrojnë mundësi për larje në ujë të akullt. Ndërsa në zonat më të largëta si Laplanda, hotelet dhe shtëpizat ofrojnë një përvojë unike që kombinon saunën me avull të nxehtë dhe zhytjen në vrima akulli.
Larja nën Dritat Veriore: Särkitunturi dhe Särkijärven Majat
Finlanda, e njohur për ndotjen e ulët të dritës dhe peizazhet e saj të ngrira, është një nga vendet më të mira për të parë Dritat Veriore. Elina Mäkinen shpesh e nis sezonin e saj të larjes në Särkitunturi, ku liqenet e vegjël ngrijnë më herët. “Kam notuar këtu nën Dritat Veriore,” thotë ajo.
“Särkitunturi është një mal 492 metra i lartë, me pamje mahnitëse drejt Pallastunturi-t. Për ata që preferojnë një përvojë më të lehtë, Mäkinen sugjeron Särkijärven Majat, ku mund të shijoni një saunë me dru dhe një vrimë akulli të përgatitur” , shton ajo.

Për fillestarët në natyrë të egër: Isokenkäisten Klubi
Kuusamo, e vendosur afër kufirit lindor të Finlandës, ofron një përvojë unike, me kanione, ujëvara dhe pyje të pafundme. Isokenkäisten, është një shtëpi druri që ndodhet në mes të natyrës dhe që ofron sauna tradicionale dhe moderne, si dhe një vrimë akulli.
Ky klub ka qenë vendstrehim për politikanë finlandezë dhe është pjesë e programit të Turizmit të Qëndrueshëm të Finlandës. Po ashtu, është përmendur në dokumentarin Cold, ku Mäkinen ndërtoi një pishinë akulli 10 metra të gjatë për stërvitje.
Larje në ‘peizazhe të shenjta’: Jeris Arctic Sauna World
Jeris Arctic Sauna World, pranë liqenit të shenjtë Jerisjärvi, ofron sauna të emërtuara sipas perëndive finlandeze si Tapio (perëndia e pyjeve) dhe Vellamo (perëndesha e ujërave). Nga saunat, është e lehtë të bësh një zhytje të freskët në vrimën e akullit.
Mäkinen e quan këtë vend ‘parajsa e veriut’, duke përmendur pamjet mahnitëse dhe perëndimet e diellit që ndodhin këtu në janar.
Këshilla për fillestarët
Mäkinen thekson rëndësinë e sigurisë.
Mos e praktikoni kurrë larjen vetëm. Filloni me hapa të vegjël, duke fërkuar ujë të ftohtë në lëkurë ose duke alternuar saunën me zhytje të shkurtra. Ajo këshillon gjithashtu që të dëgjoni trupin tuaj dhe të gjeni ritmin e duhur për të shijuar këtë përvojë personale dhe të shëndetshme” tha ajo.

Për aventurierët: Liqeni Hietajärvi në Parkun Kombëtar Ylläs-Pallas
Për një shëtitje dimërore, Mäkinen e përshkruan Liqenin Hietajärvi në pjesën veriore të Parkut Kombëtar Pallas-Yllästunturi si një ‘thesar të fshehur’ dhe ‘vlerë për aventurën; me ujin e tij kristal të pastër dhe një vend për zjarr në natyrë – një ‘laavu’ – për t’u ngrohur pas notit, me dru të siguruar nga qeveria finlandeze.
“Për ne finlandezët, liqenet me ujë të pastër janë të jashtëzakonshme, sepse liqenet tona shpesh janë të pasura me humus, plazhi me rërë të lehta të çelura është impresionues. Është një shpërblim i vërtetë vetëm ta gjesh këtë vend”, thotë Mäkinen.
Liqeni ndodhet larg çdo vendbanimi dhe është disi i vështirë për t’u arritur, megjithatë ka shenja rruge për ecje nga parkingu pranë urës Ketomella. Megjithatë, mund të hasni shumë drerë gjatë shëtitjes suaj këtu, pasi duhet të kaloni zona ku ato grumbullohen.
“Do të mund të takoni shumë drerë gjatë rrugës,” thotë Mäkinen. Fakt interesant: në ‘Laplandën Finlandeze’ ka më shumë drerë (rreth 200,000) sesa njerëz.

Mäkinen thekson se kjo është një përvojë për notarët e avancuar në akull, pasi nevojiten pajisje personale si një ahkio (slitë e gjatë për kushte me dëborë) dhe një sharrë akulli për të krijuar vrimën në akull.
“Kurdo që shkoni për një shëtitje për të gjetur vende për not në akull, duhet të siguroheni për sigurinë dhe të ngrohni trupin pas zhytjes,” thotë ajo.
Për ndjesinë magjike të vendit: Liqeni Kilpisjärvi dhe Mali Saana
Në skajet më veriore të Finlandës, Liqeni Kilpisjärvi dhe Mali Saana, mali 1,029 metra që ngrihet buzë tij, formojnë një peizazh të shenjtë, të lëvduar në këngë dhe piktura.
“Kam jetuar në Kilpisjärvi (fshat) një dimër për tre muaj,” thotë Mäkinen. “Normalisht, aty jetojnë rreth 100 banorë. Është një vend shumë i lidhur me komunitetin dhe jashtëzakonisht i bukur – gjithashtu mund të shijoni pamjen e maleve suedeze dhe norvegjeze. Nëse do të mund të jetoja kudo në botë, do të ishte këtu” tha ajo.
Për ata që planifikojnë të vizitojnë këto skaje arktike të Finlandës, ka mundësi akomodimi që e bëjnë të lehtë të zhytesh në liqenin ‘Kilpisjärvi’.
“Në rast se nuk keni pajisjet tuaja për të prerë një vrimë në akull, mund të vizitoni saunën e hotelit Lapland Kilpisjärvi dhe vrimën e tyre në akull, që mbahet e hapur me pompa,” thotë Mäkinen.
“Ndërsa mund të prisni një vrimë në mes të një liqeni arktik, gjithmonë duhet t’i kushtoni vëmendje banorëve lokalë që lëvizin me motoçikleta dëbore, të siguroheni që vrima e akullit të jetë shënuar siç duhet dhe që të mos lihen blloqe akulli mbi liqen,” paralajmëron Mäkinen.
Kur u pyet nëse ka takuar notarë të tjerë gjatë udhëtimeve të saj në liqenet arktike, Mäkinen qesh: “Jo, jo notarë. Por peshkatarë në vrimat e akullit, po, ata afrohen dhe thonë se kam bërë një vrimë shumë të madhe për peshkim” përfundon ajo./Katror.info
Përgatiti:
