Një konstatim që duhet bërë që në hyrje dhe që nuk do shumë koment është se në asnjë shtet ku jetojnë shqiptarët jashtë vendit nuk ka kaq shumë organizime të komunitetit shqiptar, sikur këtu, në Zvicër. Askund si në Zvicër nuk funksionojnë kaq shumë shoqata, organizata, rrjete dhe subjekte të tjera që bëjnë bashkë shqiptarët. Kjo sigurisht ka një arsye dhe kryesisht lidhet me dendësinë që elementi shqiptar ka në këtë evnd, kompaktësinë e tij, afërsinë me vendin e prejardhjes dhe mbase, edhe me standardin e jetesës, i cili në Zvicër është më i larti, të paktën në Evropë.
Organizimi i shqiptarëve të Zvicrës nëpër shoqata, kryesisht kulturore dhe sportive, ka filluar në fillim të viteve `80 të shekullit të kaluar, në kohën kur këtu po zinte fill angazhimi rreth kauzës politike për Kosovën Republikë, gjegjësisht për çlirimin e trojeve shqiptare në Ish Jugosllavi. Aktivitetet rreth kësaj kauze barteshin nga Kosova dhe viset, përmes aktivistëve politikë të përndjekur që kishin gjetur strehim në Zvicër. Kështu, në disa qendra si në Gjenevë, Bernë etj., krahas aktiviteteve politike që zhvilloheshin rreth LPK-së, kishte edhe disa përpjekje për organizim kulturor në nivel shoqatash, që, në mënyrë sporadike, shfaqnin programet e tyre artistike në kuadrin e ngjarjeve si protesta ose manifestime përkujtimore.
Koha e organizimeve masive, në shërbim të zhvillimeve në vendlindje
Por në këtë kohë ende nuk mund të flitet për organizime masive dhe me bazë më të gjerë të jetës shoqërore të shqiptarëve këndej. Kjo do të fillonte në vitet `90 kohën kur numri i mërgimtarëve kishte arritur një masë kritike që mundësoi zhvillimin e komunitetit dhe profilizimin e tij nëpër organizime në lëmenj të ndryshëm. Edhe ky zhvillim lidhej me organizimin politik të mërgatës, i cili ishte bartur nga ai në atdhe, ku ishte në vlug themelimi dhe veprimi i partive politike se LDK në Kosovë, PPD e PDSH në Maqedoni etj.

Sa u përket organizimeve shoqërore, në fillim, nga viti 1990 ishte zhvillimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Pak më vonë, këtë mision e mori Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë e cila në vitin 1995 do të shndërrohej në LAPSH, (pasi organizimit do t`i bashkoheshin edhe prindërit e nxënësve).
Ndërsa aktivitetet do të merrnin hov sidomos në vitet 1993-1995 kur do të lindnin një numër i konsiderueshëm shoqatash, kryesisht kulturore dhe sportive por edhe mbi bazë profesionesh. Është kjo koha kur themelohen shoqatat kulturore artistike ose ansamblet si “Shota”, “Vatra”, “Dardania”, “Ilirët”, “Teuta” etj. por edhe organizata të tjera si ajo e intelektualëve, e krijuesve shqiptarë, shoqatat e para të studentëve në disa universitete të Zvicrës, ABSM, Bazel etj.
Është kjo koha e ngritjes së shkallës së organizimit dhe të përfshirjes së gjerë të mërgimtarëve në shoqatat dhe subjektet që po themeloheshin. E gjithë kjo vinte si reflektim i frymës së angazhimit për çlirim të vendit por njëherësh sillte edhe emancipimin e komunitetit që bëhej pjesë e zhvillimeve të rëndësishme kulturore, sportive, profesionale etj. Duhet cekur se krahas vullnetit të padyshimtë të bashkatdhetarëve, ishte edhe toleranca dhe në raste edhe ndihmesa e autoriteteve zvicerane, që mundësoi këtë ngritje të shkallës së organizimit të shqiptarëve të këtushëm.
Shkalla e tillë, e lartë, e organizimit dhe e rrjetëzimit brenda komunitetit shqiptar, ka qenë përcaktuese edhe në zhvillimet rreth luftës që ishte në prag respektivisht mobilizimit konkret të një numri të konsiderueshëm të bashkatdhetarëve për këtë luftë. Në Zvicër, siç dihet, kanë vepruar disa nga celulat e para në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe UÇPMB-së, në Kosovë dhe Maqedoni.
Organizimi mbi baza profesionale, një ngritje cilësore e komunitetit
Por, si shkallë më e lartë, cilësore e organizimit brenda një komuniteti jashtë vendit konsiderohet ai mbi bazën e profesioneve. Për tu ngritur një organizim i tillë, me segmentin integrues në vendin pritës, nevojitej një kohë më e qetë dhe pas “ftohjes” së frymës së organizimeve për çlirim të vendit. Dhe kjo kohë, erdhi pas një periudhe jo të shkurtë të një dezorganizimi, në vitet e para të pas luftës. Ishin vitet 2010-2012 kur në disa qendra të Zvicrës po merrte hov ngritja e projekteve, shoqatave dhe rrjeteve të ndryshme profesionale dhe afariste shqiptare, në nivel të vendit. Për një numër prej tyre ishte meritore edhe mbështetja ose stimulimi nga autoritetet federale zvicerane të asaj kohe, që bëhej me qëllim rritjen e shkallës së integrimit të komunitetit në shoqërinë e këtushme.
Ndër të parat ishte mediumi informativ Albinfo.ch, i krijuar si projekt me mbështetje federale në mesin e vitit 2010. Ky projekt do të bëhej platformë e rëndësishme jo vetëm për informimin (në tri gjuhë) të komunitetit por edhe për integrimin e suksesshëm të shqiptarëve në rrjedhat e shoqërisë së Zvicrës. Për më tepër, Albinfo.ch do të ishte edhe mbështetëse serioze për krijimin dhe ngritjen e projekteve dhe shoqatave të tjera, profesionale që do të lindnin në vazhdim. Kështu, i kësaj kohe është themelimi i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, i menduar si “organizatë çati” e shoqatave shqiptare të Zvicrës, që vepron edhe sot. Edhe shoqata ose rrjete si Lidhja e Inxhinierëve Shqiptarë të Zvicrës, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare të Zvicrës etj., janë themeluar në periudhën e përmendur. Edhe mjekët, krijuesit letrarë etj. kishin bërë përpjekje për organizim në këtë periudhë por pa ndonjë qëndrueshmëri. Kështu, Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës do të (ri)themelohej vetëm në vitin 2018 kur do të merrte baza më të forta për veprim më të qëndrueshëm dhe më cilësor.
Një profil tjetër organizimi
Të kësaj kohe janë edhe nismat për themelimin e shoqatave të një profili tjetër, më specifik, profesional. Kështu në vitin 2016 u themelua Shoqata e Bankierëve Shqiptarë të Zvicrës (SAFA), me ambicie të mëdha për tu shndërruar në një subjekt serioz që bën bashkë punonjësit shqiptarë të bankave zvicerane. Ndonëse veproi pak vite, kjo shoqatë ishte tregues për potencialin e shqiptarëve edhe në një sektor kaq “zviceran”, çfarë është sektori bankar.
Në vazhdën e saj erdhi në vitin 2019 shoqata Swissalbs, e cila dha mjaft shembuj të organizimit me nivel të afaristëve shqiptarë në Zvicër. Me mbajtjen e mbrëmjeve gala dhe kompeticioneve për zgjedhjen e afaristëve të dalluar, të rinj shqiptarë, ajo përfshiu edhe emra të njohur të biznesit dhe të politikës në nivel Zvicre. Me ambicie dhe profile të ngjashme janë edhe rrjetet ose shoqatat si CHAPEN, AES etj., të cilat kanë sjellë në sipërfaqe një model të ri të shqiptarit, të rritur, arsimuar e të kultivuar në Zvicër, atë të shqiptarit që komunikon i barabartë de pa ndjenjë inferioriteti me shoqërinë zvicerane.
Të gjitha këto dhe organizime të tjera, tregues dhe meritorë për ngritjen e imazhit të komunitetit tonë në Zvicër, përmes profileve dhe intervistave të realizuara me to, janë subjekt i këtij numri tematik të revistës. /albinfo.ch/Katror.info