Me nënshkrimin e marrëveshjes me Komunën e Prizrenit, Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka përmbyllur ciklin e nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëfinancimin e masave të efikasitetit energjetik në ndërtesat shumë-banesore sociale në kuadër të një projekti gjithëpërfshirës.
Marrëveshja u nënshkrua të hënën nga Drejtori Menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi, dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi.
Ky projekt parashikon një investim prej 478,426 eurosh, prej të cilave 90% do të financohen nga Bashkimi Evropian dhe 10% nga Komuna e Prizrenit. Investimi do të mundësojë fillimin e punimeve në ndërtesat sociale shumë-banesore, ku do të realizohen ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të banimit dhe uljen e konsumit të energjisë. Ndër masat që do të zbatohen përfshihen izolimi i mureve të jashtme, ndërrimi i dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimi i kulmeve, vendosja e pajisjeve për klimatizim në çdo njësi banimi, rinovimi i hyrjeve, instalimi i sistemit të interfonisë, si dhe masa për mbrojtje nga zjarri, përfshirë vendosjen e detektorëve të tymit.
Prizreni është një nga 13 komunat përfituese të projektit, në kuadër të të cilit janë paraparë ndërhyrje në 28 ndërtesa sociale në gjithë Kosovën. Deri më tani, punimet kanë nisur në 25 prej tyre, ndërsa marrëveshja me Prizrenin shënon hapin e fundit drejt realizimit të plotë të këtij projekti që synon të përmirësojë cilësinë e jetesës dhe të kontribuojë në një mjedis më të qëndrueshëm./Katror.info