Sezoni i ftohjeve dhe gripit mund të jetë sfidues për fëmijët, por një dietë e pasur me lëndë ushqyese luan rol kyç në forcimin e imunitetit dhe përshpejtimin e shërimit.
Krahas pushimit të mjaftueshëm dhe kujdesit të përgjithshëm, disa ushqime të caktuara mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave dhe parandalimin e sëmundjeve sezonale.
Ja disa prej tyre që vlen t’i përfshini në dietën e përditshme të fëmijëve gjatë kësaj periudhe:
1. Patatet e ëmbla
Të pasura me vitaminë A, patatet e ëmbla ndihmojnë në mbrojtjen e mukozave të gojës, traktit respirator dhe zorrëve – barriera natyrale kundër infeksioneve. Gjysmë filxhani me patate të ëmbla të ziera mbulon madje dyfishin e nevojave ditore për vitaminë A. Edhe karotat, specat e kuq, mangot dhe kajsitë e thata janë burime të shkëlqyera të kësaj vitamine.
2. Probiotikët
Probiotikët – bakteret e mira që ndihmojnë tretjen, forcojnë imunitetin duke mbajtur në kontroll mikrobet e dëmshme në organizëm. Kosi dhe kefiri janë burime të natyrshme probiotikësh, por në disa raste mund të rekomandohen edhe suplemente, veçanërisht gjatë stinës së ftohjeve.
3. Supa me pulë
Një nga kurat më klasike për ftohjet, supa me pulë ka veti anti-inflamatore që qetësojnë rrugët e frymëmarrjes dhe ndihmojnë në lehtësimin e simptomave si bllokimi i hundës apo dhimbjet e trupit. Edhe variantet e gatshme mund të jenë të dobishme në raste të nevojshme.
4. Çaji bimor
Çajrat e ngrohtë, pa kafeinë, të ëmbëlsuar lehtë me mjaltë, janë aleatë të mirë kundër dhimbjeve të fytit, kollës dhe rrjedhjes së hundës. Ata gjithashtu ndihmojnë në hidratim dhe lehtësojnë frymëmarrjen. Kujdes: mjalti nuk rekomandohet për fëmijët nën moshën 1-vjeçare.
Përfshirja e këtyre ushqimeve në rutinën ushqimore të fëmijëve mund të përmirësojë ndjeshëm reagimin e trupit ndaj virozave sezonale, duke i ndihmuar të kalojnë më lehtë sëmundjet dhe të qëndrojnë më të shëndetshëm. /Katror.info
Përgatiti:
