Sistemi i rekomandimeve “For You” në TikTok ka qenë prej kohësh një terren i paqartë për krijuesit e përmbajtjes – edhe ata më të suksesshmit shpesh pyesin se pse disa video arrijnë miliona shikime, ndërsa të tjera zhduken pa lënë gjurmë.
Prej vitesh është diskutuar rreth llojeve të përmbajtjes që mund të penalizohen nga algoritmi i aplikacionit, por tani TikTok po synon t’i japë fund këtij misteri përmes një funksioni të ri: “Content Check”.
Ky mjet i ri, që aktualisht po testohet, do t’u mundësojë krijuesve të verifikojnë nëse videot e tyre kanë ndonjë përmbajtje që mund t’i pengojë të shfaqen në faqen “For You”.
Në fazën e parë, përdoruesit do të kenë qasje në një version të thjeshtuar të këtij funksioni – “Content Check Lite” – i cili është i disponueshëm për desktop përmes TikTok Studio.
TikTok paralajmëron se është ende në fazat e hershme të eksperimentimit me një version më të avancuar, që do të ofrojë komente të detajuara dhe sugjerime për përmirësim, si dhe konfirmim nëse përmbajtja përputhet me udhëzimet e platformës.
Kjo nismë nuk është e re për TikTok – një version i këtij funksioni është testuar më parë me shitësit në TikTok Shop, ku rezultoi në një ulje prej 27% të përmbajtjes me cilësi të ulët.
Kompania shpreson se e njëjta qasje do të rrisë transparencën dhe besimin mes krijuesve, të cilët shpesh janë të frustruar nga mungesa e informacionit dhe dyshimet për “ndalime të fshehta”.
Përveç “Content Check”, TikTok po prezanton edhe veçori të tjera që synojnë përmirësimin e përvojës së krijuesve.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur konkurrenca mes platformave sociale është në rritje dhe krijuesit kërkojnë më shumë kontroll dhe transparencë mbi punën e tyre digjitale./Katror.info