Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv për të riemërtuar Pentagonin si “Departamentin e Luftës”, duke u shprehur para gazetarëve në Zyrën Ovale se ky është një emër më i “përshtatshëm” duke pasur parasysh gjendjen aktuale të botës.
“Mendoj se është një emër shumë më i përshtatshëm, veçanërisht duke pasur parasysh ku ndodhet bota sot. Ne kemi ushtrinë më të fortë në botë,” tha Trump përpara se të nënshkruante urdhrin sipas CNN.
Sipas një dokumenti informues të siguruar nga CNN, urdhri autorizon Sekretarin e Mbrojtjes, Departamentin e Mbrojtjes dhe zyrtarët e tij vartës të përdorin tituj dytësorë si “Sekretar Lufte”, “Departamenti i Luftës” dhe “Zëvendës Sekretar Lufte” në korrespondencë zyrtare, komunikime publike, kontekste ceremoniale dhe dokumente jokushtetuese brenda ekzekutivit. Zbatimi i këtij urdhri nisi pothuajse menjëherë.
Zyrtarët e Pentagonit ndryshuan tabelat jashtë zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, ndërsa u bë edhe ridizajnimi i faqes zyrtare të institucionit. Faqja e mëparshme, defense.gov, tani ridrejtohet në war.gov, ku në krye të saj shfaqet titulli “Departamenti Amerikan i Luftës”. Akronimi DOD (Department of Defense) është zëvendësuar me DOW (Department of War) në disa tituj dhe nënshkrime zyrtare.
Hegseth, i cili ishte i pranishëm në Zyrën Ovale gjatë nënshkrimit, u shpreh se kjo nismë “nuk ka të bëjë vetëm me ndërrimin e emrit, por me rikthimin e qëllimit.”
Ai tha se ushtria amerikane do të “kalojë në ofensivë, jo vetëm në mbrojtje”, dhe se, siç pasqyrohet nga ndryshimi i emrit, vendi do të “rrisë luftëtarë, jo vetëm mbrojtës.”
Urdhri gjithashtu u kërkon të gjitha departamenteve dhe agjencive ekzekutive të njohin dhe përshtatin titujt e rinj dytësorë në komunikimet e brendshme dhe të jashtme.
Gjithashtu i jep Hegseth-it detyrën për të rekomanduar veprime, si legjislative ashtu edhe ekzekutive, për të ndryshuar zyrtarisht emrin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes në Departamenti Amerikan i Luftës.
Edhe pse dokumenti e pranon se për ta bërë ndryshimin të përhershëm nevojitet miratimi i Kongresit, Trump u shpreh të premten se nuk ishte i sigurt për këtë.
“Nuk e di, por do ta zbulojmë. Nuk jam i sigurt që u duhet (pëlqimi i Kongresit),” tha ai.
Lajmi për urdhrin e së premtes u raportua fillimisht nga Fox News.
Herën e fundit që ky departament ndryshoi emër, ndodhi përmes një akti të Kongresit.
Departamenti i Luftës, siç quhej dikur, u krijua nga Presidenti George Washington në themelimin e ushtrisë amerikane. Por në vitin 1949, si pjesë e një riorganizimi të gjerë të ushtrisë nën Presidentin Harry Truman, emri u ndryshua.
Truman nënshkroi Aktin për Sigurinë Kombëtare në vitin 1947, i cili bashkoi Departamentin e Marinës, Departamentin e sapokrijuar të Forcave Ajrore dhe Departamentin e Ushtrisë – më parë i njohur si Departamenti i Luftës – në një strukturë të vetme të quajtur “Struktura Ushtarake Kombëtare”, nën drejtimin e një sekretari civil të mbrojtjes. Në gusht 1949, kjo strukturë u riemërua zyrtarisht si Departamenti i Mbrojtjes.
Përpjekja për ta rikthyer Pentagonin në “Departamentin e Luftës” pason disa veprime të ngjashme të ndërmarra nga Hegseth për të rikthyer emrat e mëparshëm të bazave dhe anijeve ushtarake. Ai anuloi një vendim të epokës Biden që kishte hequr emrat e epokës së Konfederatës nga bazat si Fort Bragg dhe Fort Hood, duke i rikthyer ato emra, por zyrtarisht i emëroi sipas individëve të tjerë me të njëjtat emra.
Në qershor, Hegseth urdhëroi gjithashtu ndryshimin e emrit të një anijeje furnizimi që mbante emrin e aktivistit për të drejtat e komunitetit LGBTQ dhe veteranit të marinës, Harvey Milk./Katror.info
Përgatiti:
