Dieta DASH është një nga regjimet ushqimore më të rekomanduara nga mjekët dhe nutricionistët në mbarë botën. Fillimisht u krijua për të ndihmuar në uljen e tensionit të lartë të gjakut, por me kalimin e viteve është vërtetuar se ofron përfitime të shumta për shëndetin në tërësi. Ajo bazohet në konsumimin e frutave, perimeve, drithërave integrale, peshkut, mishit të bardhë dhe bulmetit me pak yndyrë, duke kufizuar kripën, sheqerin dhe yndyrnat e ngopura, përcjell living.al.
Një nga arsyet pse DASH konsiderohet “dieta më e mirë në botë” është balanca që ajo ofron. Nuk kërkon privime ekstreme, por mëson mënyrën e të ushqyerit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Studimet tregojnë se kjo dietë ndihmon jo vetëm në kontrollin e presionit të gjakut, por edhe në ruajtjen e peshës trupore, uljen e kolesterolit dhe parandalimin e diabetit tip 2. Për shkak se është e pasur me fibra, vitamina dhe minerale, DASH përmirëson shëndetin e zemrës dhe funksionimin e sistemit tretës.
Një avantazh tjetër i madh është fleksibiliteti: mund të përshtatet lehtë me zakonet ushqimore të çdo kulture, pa sakrifikuar shijen apo kënaqësinë e ngrënies.
Me pak fjalë, DASH nuk është një dietë e përkohshme, por një mënyrë jetese që promovon ekuilibër, energji dhe mirëqenie afatgjatë. /Katror.info











