Nvidia ka pasur një vit fantastik, gjatë të cilit çmimi i aksionit u rrit nga 143 dollarë në pothuajse 470 dollarë gjatë javësdje dhe vlera e tregut të kompanisë tejkaloi një trilion dollarë. Arsyeja e një suksesi të tillë qëndron në inteligjencën artificiale, d.m.th., çipat e AI të Nvidia, të cilët përdoren masivisht nga kompanitë për të zhvilluar dhe trajnuar këtë teknologji.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, është më se i kënaqur me këtë zhvillim të situatës dhe një arsye tjetër për kënaqësinë e tij është anketa e kryer së fundmi në mesin e përdoruesve të rrjetit social profesional Blind. Synimi i anketës ishte të zbulonte kënaqësinë e punonjësve me shefat e tyre, pra, siç deklaruan në pyetësor, nëse punonjësit e miratojnë mënyrën se si CEO-t e kompanive të tyre menaxhojnë kompaninë dhe kryejnë punën e tyre. Vendin e parë në atë listë, si CEO, të cilit punonjësit i besojnë më shumë në mënyrën se si ai drejton kompaninë, e meritoi Huang.
Ai mori përqindjen më të lartë të miratimit për mënyrën se si e drejton kompaninë, me 96 për qind. Një nga komentet që përshkruan më së miri Huang, i shkruar nga një punonjës i Nvidia në Blind, është: Ai parashikoi maninë e AI më shumë se dhjetë vjet më parë. Unë i besoj plotësisht. Gjithashtu, kur pati pushime nga puna në shumë kompani teknologjike vitin e kaluar dhe Nvidia nuk performoi siç pritej, Huang u tha punonjësve se jo vetëm që nuk do të kishte pushime nga puna, por disa do të merrnin edhe ngritje page.
Lista e pesë CEO-ve më të mirë përfshin një tjetër fytyrë të njohur për këdo që ndjek teknologjinë. Bëhet fjalë për Tim Cook, i cili është në vendin e katërt me një vlerësim prej 83 për qind, ndërsa para tij rreshtohen Doug McMillon nga Walmart (88 për qind) dhe Nikesh Arora nga Palo Alto Networks (84 për qind).
Këto shifra tregojnë nivelin e lartë të besimit që punonjësit kanë ndaj tyre, si dhe aftësinë e tyre për të udhëhequr me sukses kompaninë në një mjedis biznesi gjithmonë të turbullt dhe dinamik. Nga ana tjetër, ka edhe njerëz që jo vetëm që nuk gëzojnë besimin e shumicës, por askush nuk e miraton mënyrën e tyre të menaxhimit të kompanisë, shkruan Katror.info.
Ky “nder” shkoi tek CEO i Western Digital, David Goeckeler dhe ai i Nordstrom, Eric Nordstrom – që të dy morën zero për qind miratim nga punonjësit e tyre për mënyrën se si drejtojnë kompaninë dhe duhet theksuar se të dyja kompanitë njoftuan së fundmi pushime nga puna. Disi më mirë, por edhe në një situatë shumë të keqe, janë CEO-t e rrjeteve të njohura sociale. Linda Yaccarino, e cila u emërua së fundmi nga Musk në krye të Twitter-it, pra platformës X, ka vetëm 4 për qind mbështetje, ndërsa vetëm tre për qind e punonjësve të Snap mbështesin Evan Spiegel dhe mënyrën se si ai drejton kompaninë.
Sa për CEO të tjerë të kompanive të mëdha të teknologjisë, ata nuk mund të jenë shumë të kënaqur me mënyrën se si punonjësit e tyre e miratojnë punën e tyre. Kështu, CEO i ri i Amazon, Andy Jassy, mori vetëm 10 për qind të votave të punonjësve të kompanisë, Sundar Pichai nga Google, ose Alphabet, mori 26 për qind, Satya Nadella nga Microsoft mori 30 për qind dhe Zuckerberg mori 45 për qind. /Katror.info
Përgatiti:
